Xhaçka: Në katërvjeçarin e ardhshëm, do t’i bëhem “rrodhe” kryeministrit për investime në Kolonjë

TIRANË, 6 prill /ATSH/ “Besoj që kjo fushatë do të mbahet mend gjatë për vijën ndarëse, për atë ndryshim radikal, për atë diferencë të madhe që ne kemi me gjithë turmën e partive dhe e politikanëve që kemi përballë. Për atë vijë ndarëse dhe atë diferencë që ne socialistët duhet të jemi realisht krenarë përballë gjithë shqiptarëve që po e bëjmë dhe sot. Në një kohë që ne vendosim shëndetin e qytetarëve të parin, në një kohë që ne vaksinojmë, kundërshtarët tanë politikë rrezikojnë shëndetin”.

Kështu deklaroi nga Kolonja kandidatja e PS për qarkun e Korçës, Olta Xhaçka gjatë fjalës së saj, ku i pranishëm ishte dhe Kryeministri Edi Rama.

“Ky shesh këtu në kushte të tjera do kishte qenë absolutisht plot, dendur me njerëz patjetër për të mirëpritur Kryeministrin në këtë fushatë të jashtëzakonshme për mandatin e tretë. Për fat të keq për shkak të pandemisë kjo gjë ishte e pamundur. Në fakt ajo që ka marr prioritet në një kohë si kjo është jeta dhe siguria e njerëzve dhe ajo që ne duhet të bëjmë është që të mbarojmë jetën dhe shëndetin e njerëzve. Kjo është arsyeja pse kemi zgjedhur që këtë fushatë elektorale t’i vendosim kështu prioritetet, të vendosim shëndetin e qytetarëve përpara axhendave politike Në një kohë që ne vendosim shëndetin e qytetarëve të parën, në një kohë që ne vaksinojmë kundërshtarët tanë politikë rrezikojnë shëndetin, madje dhe jetën e mbështetësve të tyre duke i grumbulluar nëpër turma, dhe për fat të keq, duke e bërë këtë duke vendosur interesin partiak dhe duke i krijuar një mundësi kryetarit të opozitës, gjumashit Lul Basha, që të ndihet pak lider. Në fakt ai lider nuk u bë kurrë. Kjo është diferenca mes nesh dhe tyre. Ne socialistët duhet të ndihemi krenarë sot për gjithë sa përfaqësojmë dhe gjithë sa bëjmë në interes të qytetarëve”, tha Xhaçka.

Ai theksoi se, “ata janë po të njëjtët, të njëjtët e 8 viteve më parë që në fakt e lanë këtë vend në kushtet më të mjeruara të mundshme, duke na trashëguar përmes paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së tyre probleme të panumërta. Ka qenë një 8-vjeçar jo i lehtë, por ka qenë një 8-vjeçar që kemi punuar dhe kryesisht Kryeministri Edi Rama ka punuar pareshtur për t’i transformuar komunitetet tona pavarësisht vështirësive të panumërta, me një vizion shumë të qartë për zhvillimin e këtyre zonave, e zonave me potencial të jashtëzakonshëm turistik, siç është dhe Kolonja. Kolonja ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe ne kemi një vizion shumë të qartë. Unë mendoj që ky sot është momenti i Kolonjës dhe jam shumë e lumtur që e kemi Kryeministrin këtu, sepse në radhë të parë kërkojmë mbështetjen e tij për ta mbështetur më shumë Kolonjën, për të më ndihmuar mua, Erionin që të bëjmë më të mirën tonë, për të sjellë projekte dhe investime për Kolonjën, për ta kthyer aty ku i ka hije, drejt traditës së saj. Unë do të punoj me gjithë kapacitetin tim dhe me bashkëpunimin e gjithësecilit për të bërë më të mirën për këtë vend”.

“Ajo që më ka rënë në sy nga shumë udhëtime është ajo traditë e histori e jashtëzakonshme që vazhdon të jetë prezente edhe në ato zona të largëta, të lëna pas dore. Është kjo histori që na bën më të detyruar për të bërë maksimumin për Kolonjën tonë, për ta rikthyer atë drejt historisë dhe traditës, atje ku i ka hije. Kam shumë besim që Kryeministri do na mbështesë për ta realizuar këtë vizion, sepse ai është vizionari më i madh për zhvillimin e komuniteteve dhe për zhvillimin e këtyre zonave me potencial turistik. E ka treguar këtë gjë përgjatë çdo dite nga 2013-a e deri sot, duke punuar fillimisht për projektet e Rilindjes Urbane, më pas për projektet e infrastrukturës, që e kanë transformuar ofertën turistike të Shqipërisë”, u shpreh Xhaçka.

“Jam e bindur që ne do të marrim mbështetjen e Kolonjës për të bërë maksimumin për këtë vend kaq të bukur dhe me këta njerëz kaq të mirë, që nuk meritojnë sot të jenë jashtë vëmendjes apo jashtë korridoreve kryesore turistike. Me përfundimin e rrugës, me investimet e jashtëzakonshme që janë bërë në ujësjellësa, në rikualifikimin urban e me shumë e shumë projekte që i kemi ndërmend, Kolonja do kthehet atje ku i ka hije. Në 4-vjeçarin e ardhshëm si përfaqësuesja e juaj në parlament unë do t’i bëhem ‘rrodhe’ Edi Ramës çdo ditë e çdo javë duke i kërkuar projekte dhe investime për Kolonjën. Ne jemi këtu dhe mbas 25 prillit për t’ju mbështetur e çuar aty ku ju ka hije”, përfundoi Xhaçka.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.