Vijon procesi i vaksinimit antikovid në “Air Albania”, rreth 1400 injeksione në ditë/ Qytetarët për ATSH: Ndihemi më të mbrojtur


TIRANË, 6 prill/ATSH/ Procesi i vaksinimit në “Air Albania” është duke vijuar me ritëm tejet të lartë, ndërsa vaksinohen rreth 1200-1400 persona në ditë të kategorive të ndryshme, punonjës policie, punonjës të Gardës, stomatologë, punonjësit e kopshteve dhe çerdheve etj.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ka vëzhguar nga afër procesin e vaksinimit dhe ka marrë dhe disa dëshmi mbi ndjeshmërinë që kanë qytetarët ndaj vaksinimit antikovid, që pritet të lehtësojë jetën e tyre, bizneset dhe sezonin turistik.

Marsida Velo, specialiste e Kujdesit Parësor, tha për ATSH, se orari i punës është deri në përfundim të personit të fundit që është parashikuar të vaksionohet.

“Sot është bërë planifikimi që të vaksinohen punonjës të Policisë së Shtetit, Policia Bashkiake, punonjës të kopshteve dhe çerdheve dhe të tjera. Është planifikuar që të kryen rreth 1400 vaksinime. Orari që fillojmë çdo ditë është nga ora 8:30 deri në përfundim të qytetarit të fundit që është parashikuar t’i nënshtrohet këtij procesi. Si fillim bëhet planifikimi, më tej personi vjen regjistrohet dhe plotësohen formularët, merret miratimi nga mjeku dhe më pas bëhet edhe procesi i vaksinimit. Më pas qytetarët duhet të qëndrojnë rreth 20 minuta në ambientet pas vaksinimit deri sa të largohen. Deri më sot gjithçka ka shkuar shumë mirë dhe nuk kemi pasur asnjë lloj problematike”, – tha Velo për ATSH.

Qytetarët e intervistuar nga ATSH shprehen pozitivë për rëndësinë e vaksinës, si një mundësi për t’u mbrojtur më mirë nga pandemia COVID-19.

Punonjësi i Gardës, Myftar Meço tha se “sot morëm dozën e parë të vaksinës dhe gjithçka shkoi shumë mirë dhe u krye shpejt”.

“U krye procedura në orarin e caktuar. Unë personalisht kam kaluar Covid-19, por besoj se me këtë vaksinë do jem dhe më i mbrojtur. Puna që kemi ne, është e tillë që jemi në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët, pranadaj rëndësia e vaksinës është edhe më e madhe”, – tha Meço.

Johana Goxha, punonjëse e patrullës së policisë pranë komisariatit numër 2, Tiranë, tha se është një përfitim kryerja e vaksinës.

“Vaksina është një benefit për ne. Sot u paraqita për të marrë dozën e parë të vaksinës dhe gjithçka shkoi shumë mirë. Deri më tani nuk kam pasur asnjë lloj efekti anësor megjithëse ka kaluar rreth 15 minuta nga kryerja e injeksionit. Vaksina është e domosdoshme sidomos për ne sepse jemi në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit. Procedura zgjati vetëm 5 min dhe na njoftuan që dozën e dytë do ta marim pas një muaji”, – tha Goxhaj.

Shaip Shalari, u shpreh se gjithë procedura vajti shumë mirë.

“Sipas orarit që ishte programuar bëmë edhe procedurat. Ishte gjithçka e programuar dhe e centralizuar. Eshtë një mbrojtje për veten, familjarët, kolegët dhe qytetarët pasi kemi kontakt të shpesht me qytetarët. Duhet ta bëjmë që të gjithë vaksinën sepse është e domosdoshme dhe e vlefshme. Secili duhet të mendoj për shëndetin në radhë të parë”- tha Shalari.

Natasha Xhixho, punonjëse e Gardës, tha se ndihet më e sigurtë tashmë që është vaksinuar.

“Gjithçka shkoi shumë mirë dhe tani që morëm edhe dozën e parë ndihemi më mirë dhe më të sigurtë. Nuk patëm vonesa fare, këtu na pritën shumë mirë dhe s’na vonuan. Aktualisht jam duke pritur rreth 20 minuta sipas rekomandimeve që na dhanë mjekët pavarësisht se unë i thashë që nuk ndjeva asnjë gjë”, – tha Xhixho për ATSH. /j.p/r.e/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.