Veliaj prezanton Eduard Shalsin: Kashari, motor ekonomik, jo vetëm për Tiranën; zona e lirë ekonomike e hapur për bizneset

TIRANË, 6 prill/ATSH/ Kashari, dikur një komunë, sot një lagje e Tiranës, përfaqësohet në zgjedhjet e 25 prillit nga ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi. Kryebashkiaku Erion Veliaj e ka prezantuar ministrin si kandidat të Partisë Socialiste, në një takim të zhvilluar me përfaqësues të bizneseve të kësaj zone.

“Përveçse është i angazhuar në politikë, Shalsi vjen nga biznesi, i di hallet e biznesit. Ndaj, jam shumë i lumtur që, ai ka shërbyer gjatë gjithë kësaj kohe si ministër për Sipërmarrjen dhe ka qenë kyç në promovimin e disa nismave që kanë lehtësuar bizneset, duke filluar nga pagat e luftës, deri te propozimi për ta çuar taksën për biznesin e vogël zero deri në vitin 2029,” u shpreh Veliaj.

“Kashari, gjatë kohës që unë isha nënkryetar bashkie, nuk ishte pjesë e kryeqytetit, por është me fat Tirana që ka një kryetar bashkie energjik. Kashari ka sot potenciale të mëdha, por mbi të gjitha, pjesa e autostradës, ku janë të përqendruara bizneset, është një motor ekonomik, jo vetëm për Tiranën, por për gjithë Shqipërinë. Ju jam thellësisht mirënjohës sepse brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore më keni bërë të ndihem si njëri nga ju dhe pres me padurim që t’i përvishemi punëve për t’i realizuar të gjitha ato ide dhe ato projekte që kemi për Kasharin,” tha Shalsi.

Veliaj tha se zona mes Kasharit e Kombinatit, afër impiantit të pastrimit të ujërave, do të kthehet në zonë të lirë ekonomike. “Ne sapo kemi aplikuar për të marrë licencën nga qeveria si operator i zonës ekonomike dhe për ta hapur për të gjitha bizneset, që të ngrenë linjat e tyre të prodhimit me tarifa të reduktuara. Ne kemi disa kompani, nga ‘Forschner’, ‘Sumi Moto’, që është kompani bijë e ‘Mitsubishit’, kompania ‘Everest’ po kërkon gjithashtu hapësira, duke qenë se prodhon shasitë për ‘Jeep’ dhe ‘Range Rover’, ndaj duam që të shtojmë edhe këtë dimension industrial tek pjesa ku Kashari është kufi me Kombinatin për zonën e lirë ekonomike të Tiranës,” u shpreh ai.

Kashari nga një komunë, tashmë është integruar në të gjithë Tiranën e madhe, ku është rritur vlera e pronës dhe janë zhbllokuar disa nga investimet që kishin ngelur peng prej kohësh, siç është Unaza e Madhe, apo rrethrrotullimi te Shqiponja. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.