Veliaj jep lajmin e mirë për bizneset e vogla, falen tarifat për hapësirën publike. Ja kush përfiton

TIRANË, 6 prill/ATSH/ Bashkia e Tiranës ka vendosur që t’u vijë sërish në ndihmë bizneseve të vogla, të cilat janë prekur nga situata e krijuar prej pandemisë.

Këshilli bashkiak miratoi sot vendimin për përjashtimin nga pagesa e detyrimit të tarifës së zënies së hapësirës publike për periudhën prill-shtator 2021, për të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitetin e bar, restoranteve dhe hoteleve të klasifikuara si biznes i vogël. Gjithashtu, u vendos dhe shtyrja e afatit të pagesës së taksave dhe tarifave vendore për të gjitha subjektet, deri më 20 maj 2021.

“Siç kemi premtuar, sot i propozojmë këshillit bashkiak një projektvendim për lehtësirat fiskale ndaj biznesit, në kuadër të masave për përballimin e pasojave të Covid-19. Do të thotë që ne do të falim të gjitha tarifat vendore për hapësirën publike të të gjitha bizneseve të bareve, restoranteve, lokaleve, kafeneve që konsiderohen biznes i vogël për periudhën prill-shtator 2021. Pra, duam që edhe mbasi të mbarojë vaksinimi i popullsisë gjatë muajve të verës, të punohet pa i paguar tarifat bashkiake, që të kenë mundësi të rikuperojnë kohën që nuk u punua dhe nuk pati fluks në këto lokale dhe restorante. Për të gjithë të tjerët e kemi shtyrë afatin e pagesës së taksave dhe tarifave vendore deri në 20 maj të vitit 2021. Pra, i kemi dhënë kohë edhe bizneseve të tjera që mos të nxitojnë. Mund ta bëjnë këtë gjatë muajit maj”, theksoi Veliaj.

Si pasojë e situatës së krijuar nga Covid-19 dhe në vazhdimësi të ndryshimeve në Paketën Fiskale, bashkia e Tiranës ka miratuar një sërë masash për t’i ardhur në ndihmë sektorit të bar-restorante dhe hoteleve, masa lehtësuese të miratuara me vendime të këshillit bashkiak.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.