Taksë dhe TVSH zero për biznesin e vogël apo 9% për tifozllëk?/ Fleta e votimit autorizim për interesat e tua

TIRANË, 6 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, të gjithë ata që bëjnë biznes të vogël e kanë taksën zero, e kanë edhe TVSH-në zero dhe do ta kenë kështu deri në vitin 2029.

Kryeministri Edi Rama duke folur në aktivitetin “Kënd fjale në Bilisht”, u shpreh se, “ne jemi sot në kushtet kur iu themi që Plani ynë i Veprimit është shumë i qartë. Gjithë këtyre dyqaneve që janë këtu iu është rritur vlera. Edhe këtyre apartamenteve këtu iu është rritur vlera. Gjithë këtyre  pronave këtu iu është rritur vlera. Si iu rrit vlera, nga se? Nga gjumi? Jo nga puna”, duke iu referuar bizneseve në pedonalen e Bilishtit.

“Ndërkohë të gjithë këta që bëjnë biznes të vogël këtu tani e kanë taksën zero, e kanë edhe TVSH-në zero. Çfarë kërkon dikush prej tyre që është demokrat? Demokrat është, demokrat të jetë le të mos lëvizi fare nga istikami, por çfarë kërkon nga 25 prilli? Kërkon që për mustaqet e Saliut edhe për mullaqet e Lulit të paguajë taksë të sheshtë 9 % çdo muaj, nga fitimet e tij. Pse? Që të shkojë Luli të flejë në Kryeministri. Ka kuptim kjo? Jo mor zotëri, të jesh me PD-në nuk është turp, se turpet nuk i bën ai që është me PD, turpet i bëjnë ata që drejtojnë që krijojnë ato vatrat e infektimeve”, theksoi Rama.

Rama tha se, “partitë nuk janë skuadra futbolli”.

“Partitë duhen për interesat e tua. Interesi yt kush është të paguash taksën zero, TVSH-në zero. Apo të paguash 9 % për tifozllëk. Fleta e votimit nuk është biletë për të hyrë në stadium që do paguash që të shkosh të bërtasësh për skuadrën. Fleta e votimit është autorizim, për interesat e tua. Nëse interesat e tua përputhen me masën që ne kemi në fuqi sot dhe që do e mbajmë në fuqi deri në 2029-ën, taksë zero, TVSH zero. Po ç’punë ke ti andej nga ana tjetër? Ti rri andej nga ana tjetër. Mbaj edhe flamurin në xham, mbaj edhe fotografinë e Lulit në mur, po votën jo, se të vjen taksa 9 %”.

“Ja kështu duhet logjikuar. Duhet logjikuar mbi bazën e interesit. Cili interes është për ato që marrin një pagë deri 400 mijë lekë. Që të paguajnë taksë të sheshtë 9 % apo që nga 1 janari 2022 të mos kenë taksë fare. Sigurisht kjo e dyta. Kush ua jep këtë të dytën, Plani ynë i Veprimit”, tha Rama.

“Mjekët, infermierët, mësuesit e dinë shumë mirë që ne ua kemi rritur pagën, lërë se ç’thonë ata. E dinë, sepse i kanë në xhep lekët. E dinë shumë mirë sa paguanin me taksën e sheshtë dhe sa paguajnë sot me tatimin progresiv. Do t’ua rrisim 40 % më shumë akoma. Po kush do t’ua rrisë, ata që vetëm flasin edhe që kthehen nga ana tjetër edhe flejnë gjumë, apo ata që thonë atë që bëjnë, edhe bëjnë atë që thonë?”, u shpreh Rama.

“Ne jo të gjitha gjërat që kemi thënë i kemi bërë në kohë, dhe jo të gjitha gjërat që kemi thënë i kemi bërë deri tani, por ama nuk i kemi harruar dhe vazhdojmë këmbëngulim dhe të gjitha do t’i bëjmë një për një. Asgjë nga ato që themi nuk mbetet pa bërë dhe gjithçka që bëjmë është ajo që themi”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.