Takimet e opozitës/ Rama: Këto vatra të nxehta infektimi për motive të ulëta politike, sabotim i hapur i luftës sonë kundër Armikut të Padukshëm

TIRANË, 6 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se “vaksimi masiv cenohet pa distancimin, që duhet të shkojë paralelisht dhe këto vatra të nxehta infektimi për motive të ulëta politike, rrezikojnë ta godasin pas shpine Shqipërinë, teksa po i afrohemi çdo ditë daljes nga tuneli i pandemisë”.
Kryeministri publikoi sot foto nga fushata elektorale e Partisë Demokratike në Tiranë,  thyerje të rregullave antikovid, si dhe foto nga takimet e sotme elektorale të Partisë Socialiste në Korçë, ku respektohen me rigorozitet masat e vendosura.
“Kosova po e paguan shtrenjtë fushatën elektorale me njerëzit ngjitur njëri pas tjetrit dhe rreziku i rimbylljes është rishfaqur; Malit të Zi fushata i kushtoi një rritje masive infektimesh, plagosjesh e humbje të jetëve; Maqedonia e Veriut po shkon drejt rimbylljes për mungesë vaksinash dhe ndërkohë vende të tjera më të mëdha po vuajnë shtrëngimet, teksa vazhdojnë vaksinimin që për shkak të numrave të mëdhenj nuk po jep ende efektin e vet”, tha Rama.
Ai tha se “shumëkush e relativizon dëmin e madh shëndetësor që po mbjellin këto mitingje të papërgjegjshme, disa më shajnë e i përqeshin këto postime të miat, të tjerë flasin përçart për uragane imagjinare apo braktisje të Partisë Socialiste nga populli, por unë do të këmbëngul deri në fund”.
“Këto mitingje janë turp i madh, papërgjegjshmëri dhe mungesë karakteri e lidershipit opozitar! Janë fytyra e vjetër e antishtetit dhe e rrumpallës antiqytetare të PD-së! Po mbi të gjitha janë rrezik shumë i madh për shëndetin e njerëzve dhe sabotim i hapur i luftës sonë kombëtare kundër Armikut të Padukshëm”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “ky armik nuk pyet për parti e për politikë, godet ku të mundet dhe teksa ne po vaksinojmë pa i ndarë shqiptarët, duke luftuar çdo ditë për ta e me ta si një trup i vetëm, unë ju bëj thirrje të gjithëve: Politika le të na ndajë, po lufta për jetën, shëndetin dhe Shqipërinë përballë virusit vrastar duhet medoemos të na bashkojë”. /m.m//a.a/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.