Rritje me 40% e rrogave për bluzat e bardha, 30% mësuesve, zero tatim mbi pagën deri në 400 mijë lekë/ Të gjitha kategoritë e njerëzve nuk i mbron dot askush si PS

TIRANË, 6 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama në një takim elektoral nga Kolonja, u bëri thirrje sot qytetarëve që të tejkalojnë tifozllëkun politik duke parë interesin e përbashkët.

“Nuk ka qenë një periudhë e lehtë dhe e zakonshme, por ka qenë një periudhë që na ka sprovuar të gjithëve. Por kjo provon se bashkë të gjithë mund t’ia dalim që të tejkalojmë atë hendek që kanë hapur partitë mes nesh”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se “të gjitha kategoritë e njerëzve në Shqipëri nuk i mbron dot askush si Partia Socialiste, që u ka zeruar taksën e TVSH biznesit të vogël dhe e ka lënë komplet të lirë”.

“Tani po punojmë për sistemin e fiskalizimit dhe kalimin online të të gjitha procedurave e transaksioneve që do të largojnë inspektorët, kontrollorët e taksidarët nga ata që merren me biznes të vogël. Ata do të jenë të lirë të bëjnë punën e tyre. I vetmi kontribut që do të paguajnë janë sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore që nuk janë taksa, por janë për shëndetin dhe pensionin”, tha Rama.

Rama tha se “ne i shikojmë biznesmenët e vegjël si aleatët e mëdhenj, si krahët që do ta ndihmojnë ekonominë shqiptare të ngjitet më lart”.

“Nuk i mbron njeri mjekët, infermierët, mësuesit si PS. Iku koha kur i hidhnin si topa lecke sa andej-këtej, i hiqnin nga puna dhe mbanin ata njerëz që ishin më pak të aftë, pa arsimin përkatës, por që vinin nga rruga e partive, krushqisë, korrupsionit. Iku koha kur mund të bëheshe infermiere me një teserë të kuqe. Sot të gjithë ata që hyjnë në punë edhe në administratë hyjnë përmes një procesi që i garanton ata. Nuk kanë asnjë arsye të kthehen prapa. Ne do të vazhdojmë t’ua rrisim rrogat edhe 40 % më shumë infermierëve, mjekëve, mësuesve dhe 30 % e më shumë punonjësve të tjerë të shtetit. Atyre me pagë 400 mijë lekë do t’u heqim tatimin mbi pagën nga janari 2022”, tha Rama. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.