Rehova, një ndër oazet më të bukura të Shqipërisë


TIRANË, 6 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama në kuadër të turit të tij elektoral në Korçë u ndal në Rehovë, një ndër oazet më të bukura të Shqipërisë.

Kryeministri Rama në fjalën e tij theksoi se me përfundimin e rrugës, që është në fazë të avancuar, Rehova mund të bëhet një destinacion turistik.

“Me shkurtimin e distancës kjo do të jetë zona e re e zbulimit e shqiptarëve dhe e të huajve”, tha Rama.

“Rehova ka një histori të veçantë. Shumë nga banorët e fshatit emigruan në Amerikë, përveç se punuan ata formuan një shoqatë me emrin e fshatit dhe çdo vit mblidhnin fonde dhe i dërgonin për punë publike në fshat dhe në 1930 Rehova ishte me kanalizime, ujëra të zeza, ujësjellës, rrugë, kalldrëme dhe të gjitha. Banorët nuk i shesin shtëpitë, megjithëse kanë emigruar disa prej tyre ose janë shpërngulur drejt Tiranës apo Korçës”, tha kryetari i bashkisë Kolonjë, Erion Isai.

“Ka filluar njëfarë turizmi i veçantë. Këtu vijnë kryesisht turistë francezë që bëjnë jetën e fshatit duke gatuar me ta, shëtitur me ta”, u shpreh Isai.

Në këtë zonë është ngritur edhe një kamp, i cili vizitohet nga rreth 500 fëmijë gjatë sezonit veror. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.