Qytetarët të vaksinohen/ Pipero: Nuk ka vaksina të këqija, “Sinovac” e sigurtë dhe efektive

TIRANË, 6 prill/ATSH/ Mjeku i njohur infeksionist, Pëllumb Pipero apeloi sot qytetarët të vaksinohen, si e vetmja armë për të luftuar virusin Sars-Cov-2, ndërsa e ka cilësuar vaksinën kineze “Sinovac” të sigurtë.

Gjatë një debati televiziv, Pipero tha se bazuar në evidencat e publikuara nga Turqia në fazën e tretë, vaksina kineze “Sinovac”, është 83,7 % efektive.

“Kam deklaruar ndër të parët se certifikimi i një vaksine është i rëndësishëm, por për mua si mjek është e rëndësishme evidenca që merret nga vendet që po vaksinojnë miliona njerëz. Është e rëndësishme që një vaksinë të jetë e regjistruar në vendet e origjinës dhe të përdoret në vendet e origjinës. Sa i përket vaksinës kineze në opinionin tim është më afër stimulimit të imunitetit natyral. Për mua nuk ka vaksina të këqija. Nëse jep efikasitet mbi 60 % për mua është shumë e mirë. Iu them qytetarëve ta bëjnë. Më vijnë dhjetëra mesazhe. U them bëni vaksinën e parë që iu vjen si mundësi”, deklaroi ai.

Njëkohësisht Pipero tha se përdorimi i vaksinës kineze “Sinovac” është certifikuar nga Komiteti i Ekspertëve për Vaksinimet në Shqipëri.

“Ky komitet i cili në përbërje të tij ka ekspertë të njohur si Eduart Kakarriqi apo Silva Bino e kanë certifikuar përdorimin e kësaj vaksine”, tha Pipero.

Në Shqipëri prej disa ditësh ka nisur vaksinimi masiv i popullatës, ndërsa në vend po përdoren vaksina “Pfizer”, “AstraZeneca”, por edhe vaksinat ruse dhe kineze.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.