“Po dalim nga tuneli, ndërkohë që vendet e tjera po mbyllen”/ Si do e çojnë vendin në BE, me tramvajin e Tiranës?

TIRANË, 6 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në 25 prill fiton PS dhe kjo nuk diskutohet.

Kryeministri Edi Rama duke folur në aktivitetin “Kënd fjale në Bilisht”, u shpreh se, “jemi në mes të luftës, duke u kacafytur me një forcë kaq agresive sa ç’është një virus, ndërkohë që vendet e tjera mbyllen. Njoftojnë mbyllje. Dje pashë Maqedoninë e Veriut që do të mbyllet prapë. Po kështu dhe në Kosovë po flasin për mbyllje. Franca mbyll, kjo mbyll”.

“Ne ndërkohë po dalim nga tuneli edhe rrimë tani infektojmë njëri-tjetrin. Rrimë edhe flasim broçkulla këtu për çudira që do ndodhin. Duke firmosur marrëveshje rrugëve. Marrëveshje që s’kanë asnjë vlerë dhe s’i duhen as dreqit. Për show. Për të marrë njerëzit për hunde. Për të shfrytëzuar edhe mërzitë edhe pakënaqësinë e tyre, që janë legjitime”, tha Rama.

“Çdo shqiptar që është i mërzitur sot ka të drejtë. Ka të drejtë, nuk diskutohet. Ne mund të themi 1001 gjëra. Mund të japim 1001 arsye pse kjo, pse ajo si kështu, si ashtu, por ai shqiptar që është i mërzitur ka të drejtë. Dhe ne jemi këtu për t’i dhënë më shumë. Por si i jepet më shumë, me Vehbiun apo me Suden, apo me Haxhi Qamilin, apo me Saliun dhe Ilirin. Jo më shumë i jepet vetëm me punë, vetëm me këmbëngulje, jo me gjumë edhe duke folur përçart e duke fjetur në këmbë”, theksoi Rama.

“Kjo nuk është politikë për vitin 2021 në mes të Europës, kjo është politikë për kohërat e qepës. Do fusin këta Shqipërinë në BE. Si do ta fusin këta, me se, me tramvajin e Tiranës? Me se do e fusin këta? Apo me djathë dhe me salcë? Qesharake komplet”, u shpreh Rama.

“Edhe është edhe më e dhimbshme të mendosh që ka njerëz që iu besojnë këtyre. Iu besojnë deri në pikën që shkojnë mbrapa edhe infektohen verbërisht”, tha Rama.

“Në 25 prill nuk diskutohet kush fiton, as nuk diskutohet kush fiton më 25 prill. Problemi nuk është kush fiton si parti. Se fiton PS kjo nuk diskutohet. Por problemi është si fitohen luftërat? Si fitohen betejat? Si shkohet nga këtu, atje? Deri dje për të shkuar nga këtu atje duhet të kaloje gropa, sot është një bulevard. Kush e bëri këtë? Kush e bëri? Ky u bë siç janë bërë të gjitha punët me vizion, por mbi të gjitha me punë. Me këmbëngulje, por mbi të gjitha me durim të madh, se nuk bëhen gjërat sa hap e mbyll sytë”, theksoi Rama.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.