Përfundimi i rrugës Korçë-Kolonjë, ujësjellësi në Leskovik, investimi për pikën e re turistike në Korçë/ Shqipëria, kampione e turizmit në Ballkan

TIRANË, 6 prill/ATSH-Maela Marini/ “Ne do ta bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm dhe kjo është plotësisht e mundshme sot, kur ne kemi ngritur të gjitha bazat”, deklaroi sot nga Erseka, Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri theksoi se “me një fazë tjetër investimesh të mëdha do të hapim shumë porta të reja për të ardhur në Shqipëri”.

Rama renditi portet turistike të Durrësit e Vlorës, portin e Sarandës ku ka filluar puna; investimet në aeroportet e reja, si aeroporti i Kukësit, ku për pak ditë do ulet avioni i parë, fluturimi i parë i “Air Albania”; aeroportin e Vlorës, që për pak kohë fillon nga puna dhe jemi në fazën ku po finalizohet kontrata me kompaninë fituese, ndërkohë që menjëherë do të shpallim aeroportin e Sarandës.

Nga Erseka, Kryeministri siguroi se do të stimulojmë çlirimin e potencialit që ka vendi ynë dhe kjo trevë.

“Korça është afirmuar si destinacion turistik, por nuk mjafton, pasi Korça ka shumë nevojë për Kolonjën, Pogradecin, Devollin, Maliqin për t’i kombinuar gjithë këto potenciale dhe Përmetin, Gjirokastrën, Tepelenën e me radhë”, tha Rama.

Rama tha se “në këtë vizion jemi ne dhe me këtë synim do të punojmë për të sjellë këtu në këtë qark një investim të madh për pikën e re turistike, të parën në Shqipëri të skive, që të diversifikohet oferta”.

“Jo vetëm të përfundojmë një orë e më parë rrugën e Kolonjës me Korçën, që do e bëjë Korçën aneks të Kolonjës dhe anasjelltas, do të jetë si të lëvizësh brenda një bashkie të madhe, por do të përmbyllim investimet në ujin e pijshëm”, tha Rama.

Ai theksoi se sot Kolonja ka 24 orë ujë të pijshëm, ndërkohë që për pak kohë mbaron ujësjellësi në Leskovik dhe janë 34 fshatra në gjithë këtë bashki ku kantieret janë në punë”.

“Brenda këtij viti, ose fillimi i vitit tjetër, kjo bashki do të ketë ujë 24 orë në gjithë territorin e saj, jo vetëm në zonat urbane, duke krijuar një bazë shumë të rëndësishme për atë që vjen më pas, investimet në agroturizëm dhe në gjithë rrjetin e guidave turistike”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se “këto investime do të sjellin më shumë turistë, më shumë konsumatorë, duke rritur këtu mundësinë për të jetuar, fituar e shërbyer”.

“Pikat e shërbimet që janë hapur këtu flasin vetë se çfarë potenciali ka këtu. Ishim pak më parë në Rehovë, një mrekulli. Aty më tregonin për francezët që vijnë e ikin. Potenciali është këtu, ne jemi ngjitur deri në një pikë të caktuar dhe duhet të ngjitemi më lart. Sa më lart të ngjitesh të zihet fryma, mund të lëkundet besimi, por ne i kemi të gjitha këto, kemi  karakterin, durimin, besimin dhe vendosmërinë për t’i çuar punët deri në fund”, shtoi ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.