Peleshi në Bilisht: Resorti turistik në Nikolicë hap kapitull të ri të turizmit në Devoll

TIRANË, 6 prill /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, drejtues politik i PS dhe kandidat në qarkun e Korçës në zgjedhjet e 25 prillit, u shpreh se “PS ka qeverisur pasi PD i ka rrëzuar punët e shtetit më keq sesa i ka gjetur”.

Gjatë takimit që u zhvillua sot në Bilisht, me banorët e kësaj zone, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Peleshi, solli në vëmendje se PD ka qenë modeli i dështimit spektakolar që zhyti gjithë popullin në skemën piramidale që preku xhepat e çdo shqiptari dhe më pas është përsëritur historia në 2013-ën kur arka e shtetit u dorëzua bosh.

“Në 2005 qeveria socialiste e Nanos e ka dorëzuar pushtetin me dosje, për çdo projekt dhe investime në vepra publike, për qeverinë që vinte më pas dhe ky është dallimi që ne kemi me të tjerët. Ata e ndërtojnë suksesin politik mbi bazën e përbaltjes, ndërsa ne shohim përpara”, – tha Peleshi.

Këtu në Devoll, vijoi ai, kemi patur vështirësi në të kaluarën, pasi bashkia është konsideruar si një kështjellë opozitare. Për ne bashkitë janë të qytetarëve, ndaj në mandatin e parë të qeverisë Rama është punuar për një program të madh të Rilindjes Urbane pa dallim.

“Kjo pedonale që jemi sot, që për hir të së vërtetës i ndryshoi faqen qytetit, është pjesë e atij programi të Rilindjes Urbane, në një kohë kur nuk ka qenë e lehtë të bashkëpunohej me kryebashkiakët që merrnin porosi politike. Ne ia dolëm dhe do të vazhdojmë me projekte të reja, me zgjatimin e pedonales dhe të tjera investime”, – u shpreh Peleshi.

Për ne, theksoi ai gjatë fjalës së tij, investimet në infrastrukturën publike janë të rëndësishme se jo vetëm i shërbejnë përmirësimit të jetë së qytetarëve, por kanë edhe një impakt ekonomik, sepse ato zgjojnë investimet private.

Peleshi tha se, këtu në Devoll në këtë mandat ne do të kalojmë në një stad të ri zhvillimi. Në Devollin e sipërm do të lindë për pak muaj një sektor që nuk ekzistonte, turizmi.

“Në Devoll nuk ka struktura hoteliere apo bujtina, ndërkohë projekti më i madh i qeverisë Rama, është projekti i Nikolicës”, tha ai.

Në Nikolicë do të ndërtohet resorti i parë turistik, më i madhi në Shqipëri dhe pas pak kohësh më i madhi në Ballkan, sepse projekti është gati.

“Gjithashtu jemi duke bërë rrugën Miras-Arzë, një rrugë e shumëpritur e cila do të lidh edhe shumë fshatrat të tjerë turisik, duke krijuar një kurorë të Devollit të sipërm me potencial turizmin, ku do të lindin hotele bujtina, të cilat do të rezatojnë zhvillim”, tha Peleshi.

“Ne kemi bërë realitet zhvillimin e agroturizmit në çdo rrugicë të Korçës ku ka nga 2-3 bujtina dhe këtë model duam ta sjellim edhe këtu”, – u shpreh Peleshi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.