Opozita po përhap panik e shpërndan lajme të rreme për vaksinat

TIRANË, 6 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama sërish sot nga Kolonja akuzoi Partinë Demokratike se gjatë takimeve elektorale nuk po zbaton masat antikovid, duke i shndërruar takimet e saj në vatra infektimi.

“Çdo ditë infektojnë njerëz, mbledhin njerëz dhe infektojnë, çfarë mund të kërkosh më shumë, kanë dalë rrugëve me një demek program. Programi i tyre është menu. Çfarëdo që të dëgjosh ti, të thotë programi. Je i punësuar: të heqim sigurimet shoqërore; je pensionist: do të rrisim pensionet”, tha Rama.

Sipas Kryeministrit Rama, shëndetësia ishte një katastrofë.

“Imagjinojeni sikur ne të na kishte rënë virusi me ato spitale, magazinë rrënimi, ku do të ishim, do ishim bërë një varr i hapur në mes të Europës. Atëherë do ta shikonim ne se ç’do të thotë të vdesin njerëzit në mes të rrugëve”, tha Rama.

Kryeministri bëri të ditur se pas gjithë investimeve të kryera, sistemi shëndetësor është gati të shkojë drejt autonomisë spitalore.

“Jo vetëm që u gjetëm të përgatitur, por sistemi ynë shëndetësor pas gjithë atyre përmirësimeve të thella infrastrukturore është gati të bëjë hapin tjetër të madh, që nuk mund të bëhej përpara, se nuk mund të bësh autonomi spitalore, nuk mund të kalosh në vlerësimin e mjekëve sipas performancës, nuk mundet dot ta luftosh deri në fund atë korrupsion që i nxin jetën njerëzve nëpër spitale, nëse s’ke batanije, çarçafë, apo banjo, s’ke asgjë. Në spitale ku ngroheshin njerëzit me susta, ku s’kishte ujë”, tha Rama.

Sot po, u shpreh Rama, duke shtuar se Spitali i ri Rajonal në Fier është jo vetëm një tjetër qendër e ekselencës, por është edhe një qendër e transferimit të dijes, duke përfituar nga gjithë ajo dije që ka fituar Turqia në dekadën e fundit për ta transferuar në të gjithë sektorët.

Për Kryeministrin Rama është e pabesueshme që sot Shqipëria të vazhdojë të diskutojë midis PS e një alternative që ka mbi kokë Sali Berishën dhe Ilir Metën.

“Se Luli nuk është lideri i asaj shporte karavidhesh, por vetëm fasada e nxjerrë përpara, Gjinua për të krijuar idenë që po bëhet një dasëm. Kumbarët e vërtetë janë Saliu e Iliri. Saliu që vazhdon e kall panik në shpirtin e njerëzve duke thënë mos u vaksinoni se vaksinat vdesin njerëz. Del Gjinua dhe e përsërit se i ka thënë ai: pse nuk flet për këtë punë? Turp, s’ka më turp të luash me jetën dhe me qetësinë shpirtërore të njerëzve në ankth prej më shumë se një viti për të dalë nga kjo situatë, dhe tamam kur drita zmadhohet në fund të tunelit, këta prapë kthehen aty”, deklaroi Rama.

Si s’u bënë me Shqipërinë e shqiptarët, shtroi pyetjen Kryeministri, si s’u bënë një herë përbashkues, jo për të mbështetur qeverinë, por për të mbështetur, qetësuar e ndihmuar njerëzit, së paku duke mos shpifur, shpërndarë lajme të rreme e mbytur njerëzit me dezinformim.

“Ky është kulmi. Vaksinat të marrin jetën. Vaksinat po kthejnë jetën, do ta kthejnë jetën dhe Shqipëria do të buzëqesh shumë shpejt, siç po buzëqeshin gjyshet e gjyshërit në të gjithë Shqipërinë, të cilët pasi bëjnë vaksinën marrin frymë lirisht, pasi më në fund dalin nga shtëpia e më në fund takojnë nipërit e mbesat, dhe fëmijët e tyre nuk do t’i shohin me frikë se mos i infektojnë”, u shpreh Rama.

U izoluan një brez i tërë komplet, vijoi ai, ndërkohë që ata po marrin frymë lirisht, del Saliu, gogoli dixhital.

“Çfarë mund të bëjnë këta për Shqipërinë? Çfarë kanë bërë këta, i di edhe unë shkatërrimet, piramidat, borxhet, por një gjë të mirë që bënë këta që mbeti vepër e historisë, edhe ajo Rruga e Kombit, mbeti rrugëve. As nuk bënë, as nuk do të bëjnë, se nuk dinë të bëjnë, por këtë herë nuk do t’u japë njeri mundësinë të bëjnë gjë. Dalin pas 8 vitesh e thonë që 8 vite më parë ndodhi një aksident, që do të thotë se nuk kanë nxjerrë asnjë mësim nga e shkuara. Ju duket aksident, padrejtësi dhe duan të kthehen prapë për të bërë po ato gjëra që bënin”, theksoi Kryeministri në fjalën e tj.

Çdo parti humbet zgjedhjet, reflekton, reformohet, ripërtërin lidershipin e ecën përpara si PS, theksoi Rama, por këta mbetën në xhep të gogolit dixhital.

“Kjo është një sfidë që ne nuk e kemi me ta, ne sfidën e kemi me veten dhe me të ardhmen. Në mes të luftës nuk mund të ndalojmë tani e të bëjmë eksperimente që i kemi bërë në të shkuarën dhe ka qenë i njëjti rezultat. Shqiptarët dy herë e përsëritën e dy herë po atë rezultat morën, s’ka një të tretë për ta. Ka një të tretë, mandati i tretë i PS”, deklaroi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.