Nga Kolonja në Shkodër/ Rama-Bilalit: Duhet të flitet me njerëzit, vaksinimi masiv duhet shoqëruar me distancim


TIRANË, 6 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Kolonjë, ka biseduar sot në një lidhje telefonike me kryesuesen e listës së PS në Shkodër, Edona Bilali.

“Po të marr nga Kolonja, tek Sofra Kolonjare këtu është një mjedis i mrekullueshëm por ti s’ke ardhur këtej se ti vetëm tek Shkodra e ke mendjen”, u shpreh Rama.

Biliali u përgjigj se, “unë çdo lek vetëm brenda qarkut. Kemi dhe ne gjëra po aq të bukura, mbase edhe më të bukura në Shkodër”.

“Po mirë mo mirë se na mbyte, ju i keni më të bukura, po puna është se keni ata xhagajdurët që s’ju kanë lënë”, tha Rama.

Duke folur për ecurinë e fushatës, Bilali tha se, “vazhdojmë çdo ditë takime me target grupe të ndryshme”.

“Biznesi është shumë i kënaqur, veçanërisht biznesi i vogël. Një pjesë e tyre na thonë pse vini, se më shumë se kaq nuk mundeni të bëni dhe as ne nuk kërkojmë të bëni. Sepse heqja e tatimfitimit dhe dalja nga skema e TVSH për vlerën deri 10 milionë lekë sigurisht që ka liruar frymëmarrjen për biznesin e vogël”, tha Bilali.

“Të rinjtë ndërkohë janë shumë të entuziazmuar, sepse kur flasim për programet që kanë qenë, po dhe ato shumë më shumë që do të jenë për ta, për zhvillimin e sipërmarrjes vetjake, janë shumë entuziastë dhe mezi presin”, tha ajo.

“Ndërkohë që dhe fermerët qëlloi që ishin dhe në periudhën kur skema kombëtare ishte e hapur, çdo gjë është transparente, sepse aplikimi bëhet në e-Albania dhe shprehen edhe ato shumë të kënaqur për mbështetjen që vazhdimisht po u jepet edhe në rritje nga viti në vit”, tha Bilali.

E pyetur nga Kryeministri Rama se si e ndjen atmosferën, Bilali tha se, “kam shumë besim edhe sepse kemi dy modele krejt të ndryshme ofertash që po u jepen qytetarëve”.

“E para është rruga drejt progresit e shoqëruar me llogaridhënie. Ky është premtimi i vetëm që jemi duke u bërë qytetarëve. Pra na jepni votëbesimin, por me kushtin që të na vijnë me shkop në dorë nëse ne nuk mbajmë çdo gjë që Shkodra meriton dhe duhet të bëhet në qytet. Ndërkohë që krahu tjetër kemi vetëm kryesisht merren vetëm ose me ne, ose çfarë s’ka, ose me sharje a me mallkime. Dhe në rastin ideal me një shpërndarje doze potenciale virusi”, tha Bilali.

“Edhe aty, dje më duket kur ishte, kur u bë ajo dasma?”, tha Rama.

“Dje kishim të radhës, shfaqje, që para çdo qytetari është krejt evidente shembulli i përgjegjësisë dhe i papërgjegjshmërisë. Ne vazhdojmë e themi, ndërkohë kemi një skuadër që numërojnë distancën me hapa nëse janë karriget 1 metër larg njëra-tjetrës, çdo takim i hapur me 10 veta. Dhe në krahun tjetër është grumbulli sikur të ishim në një situatë krejt normale që vetëm normale nuk është. Pavarësisht avancimit me dozat ne jemi ende larg fitimit të luftës”, tha Bilali.

“Dozat duhet të flitet me njerëzit që ta kenë të qartë që vaksinimi masiv duhet shoqëruar me distancim se ndryshe e pësojmë edhe ne se nuk jemi në atë fazë që ta kemi këputur komplet zinxhirin e infektimit. Kemi akoma kohë për të shkuar deri atje dhe problemi është që mos ndodhi si në Kosovë, si në Mal të Zi, larg qoftë me plagosje të mëdha, me humbje jetësh, me rritje të numrave të kthehemi prapë në mbyllje. Kjo është çfarë të them unë? Kjo është tmerr. Po duhet të flitet”, u shpreh Rama.

“Ndërkohë duhet të insistohet tek mesazhi që ne e dimë mirë që i kemi borxh Shkodrës, një pjesë sigurisht janë përgjegjësia jonë, një pjesë tjetër e konsiderueshme është përgjegjësia e atyre që i kanë dhënë besim pafund këtyre derdimenëve edhe që e kanë lënë Shkodrën peng të tifozllëkut. Duhet të punohet fort, duhet të komunikohet me njerëzit, duhet të qasemi modestisht dhe sa më shumë argumente, dhe pastaj në fund vendosin vetë njerëzit, por ne të bëjmë tonën”, tha Rama.

“Jemi duke i mëshuar shumë mesazhit të qytetarisë për një fushatë fillimisht të qetë, dhe jam e bindur që në momentin që je i qetë dhe bën llogarinë në familje, në biznesin tënd si të del, atëherë vota është e qartë se ku shkon. Nëse pastaj jemi vetëm bukë e djathë dhe le të vdesim për bukë, ama mos të votojmë, kjo dihet se ku e çon mbrapsht Shkodrën”, theksoi Bilali.

“Edhe bar do hamë, po dy gishtat nuk i ulim. Po, po, e qartë, e qartë”, tha Rama.

“Mos harro, ke ardhur që të bëhet PS si ty, jo të bëhesh ti si PS. Dakord?”, i tha Rama, Edona Bilalit. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.