Në qarkun Gjirokastër u rikonstruktuan 21 qendra shëndetësore/ Çuçi: Vota e 25 prillit, kontratë e re besimi

TIRANË, 6 prill /ATSH/ Qendra shëndetësore në Krahës të Memaliajt është një tjetër investim i rëndësishëm në shërbim të banorëve të kësaj zone, që tashmë marrin shërbim në kushte shumë më të mira.

Kandidati i PS-së, në qarkun Gjirokastër, Bledi Çuçi bën të ditur se “në të gjithë qarkun Gjirokastër vetëm gjatë katër viteve të fundit kemi rikonstruktuar plotësisht dhe i kemi kompletuar me pajisje të reja 21 qendra shëndetësore të Kujdesit Parësor”.

Çuçi publikoi pamje nga investimet që kanë sjellë një realitet të ri shërbimi në qendrat shëndetësore, me standarde bashkëkohore dhe kushte komode, krejt ndryshe nga gjendja që ishin më parë me lagështi, të ftohta, pa ujë të ngohtë dhe sisteme ngrohjeje.

“Askush më parë nuk ka bërë kaq shumë në kaq pak kohë. Edhe kur kanë mbetur punë pa u bërë, ne dimë të kërkojmë ndjesë e të japim një shpjegim”, tha Çuçi.

“Vota e 25 prillit është një kontratë e re besimi që duhet ta lidhim sërish me Partinë Socialiste për të çuar përpara punët që kemi nisur”, tha Çuçi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.