Më shumë se 200 mijë vaksinime antikovid/ Nuk do të ndalemi derisa ta fitojmë përballjen me armikun e padukshëm

TIRANË, 6 prill/ATSH/ Më shumë se 200 mijë vaksinime antikovid janë kryer deri sot nga nisja e fushatës së vaksinimit antikovid në vendin tonë.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video nga kryerja e vaksinave në disa qytete, si Berat, Vlorë, Gjirokastër, Tiranë, Lezhë, Lushnjë, Përmet, Rrogozhinë, Pukë, etj.

“Nderi është i gjithi i yni. Ia kemi dalë të kryejmë më shumë se 200,000 vaksinime dhe nuk do të ndalemi, me këmbëngulje të madhe, derisa ta fitojmë përballjen me armikun e padukshëm. Rrofshi sa malet”, shprehet Kryeministri Rama.

“Faleminderit shumë që u përpoq Edi Rama dhe qeveria që ne bëmë vaksinën. Falënderojmë po ashtu personelin mjekësor”, thotë një i moshuar në Berat.

Një tjetër i moshuar nga Berati i bëri thirrje të gjithë moshatarëve të tij ta bëjnë vaksinën se është për të mirën e tyre, për jetën e tyre.

Ndërsa një e moshuar nga Vlora shprehet se është shumë e kënaqur me shërbimin, sjelljen dhe ndihmën që po i jep shteti për t’u vaksinuar.

Në të gjithë vendin vijon vaksinimi masiv i gjysheve, gjyshërve dhe uniformave blu. Barometri global për ritmin e vaksinimit në 7 ditët e fundit e rendit Shqipërinë në vendin e parë, duke lënë pas edhe Serbinë në rajon, por edhe vende të Bashkimit Europian, të cilat e nisën më herët vaksinimin.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.