Mbi fushatën, partitë e pushtetin është shëndeti i qytetarëve/ Çdo grumbullim i papërgjegjshëm e saboton procesin e vaksinimit

TIRANË, 6 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në një takim elektoral në Ersekë se “ne nuk jemi një çetë ku janë mbledhur lloj-lloj individësh, por jemi  Partia Socialiste, forca që ka karakterin dhe përgjegjësinë për t’i dalë përballë sfidave dhe për të mos u tërhequr”.

“Ne mund të kemi më shumë njerëz këtu, por besoj shumë se njerëzit e arsyeshëm, kushdo që ka një fije arsye e mirëkupton dhe e kupton këtë qasje tonën. Sepse për ne sigurisht përballja elektorale është një moment detyrimi karshi njerëzve që ne patjetër do ta respektojmë deri në fund, por mbi fushatën, partitë, pushtetin është shëndeti i të gjithëve, shëndeti i shqiptarëve pa dallim, që është i kërcënuar nga një armik i padukshëm që nuk shikon majtas, djathtas, por godet 360 gradë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “virusi nuk shikon i kujt je, me kë je dhe sa ke, por godet sapo i jepet mundësia”.

“Ndërkohë që ne jemi në një fazë të re të kësaj lufte, në fazën finale, me vaksinimin masiv që do të na mundësojë ta nxjerrim jashtë virusin është e domosdoshme që secili prej nesh të vazhdojë të respektojë rregullat dhe distancimin”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “vaksinimi është në proces, por ende nuk ka shkuar në pikën që të këpusë zinxhirët e infektimit në të gjithë hallkat e tyre”.

Ndaj, tha ai, “çdo grumbullim, shkelje e rregullave, kuturisje duke u sjellë në mënyrë të papërgjegjshme e saboton procesin e vaksinimit, e vonon daljen nga tuneli dhe rrit numrin e infektimeve e shton plagët dhe numrin e jetëve të humbura”.

“Ne nuk kemi nevojë ta provojmë kur e shohim rreth e rrotull nesh. Në Kosovë se çfarë solli fushata elektorale me turma, solli një rritje të shpejtë të numrit të infektimeve dhe jetëve të humbura. Në Malin e Zi me marshime dhe flamuj e britma në rrugë, solli humbje jetësh, plagosje dhe rritje të numrit të infektimeve. Pse duhet Shqipëria të kalojë nga kjo eksperiencë e hidhur? Çfarë borxhi u kanë njerëzit e zakonshëm atyre që sillen në këtë mënyrë dhe krijojnë vatra infektimi, ndërkohë që kërkojnë besimin e njerëzve për të marrë përsipër drejtimin e vendit? Po çfarë besimi mund të kenë njerëzit tek ata që nuk kanë forcë karakteri për të përballuar tundimin të kenë njerëz në takime?” – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “edhe mua më shkruajnë pse nuk na lini të vijmë, pse nuk tregojmë dhe ne forcën”.

“Sepse ne nuk jemi njësoj, ne nuk jemi një çetë ku janë mbledhur lloj-lloj individësh pa din e iman që i kanë pasur më tepër mundësitë të tregojnë se çfarë dinë të bëjnë dhe më shumë kanë treguar se dëmtojnë se dinë të punojnë”, tha Rama.

Ne jemi PS, vijoi ai, “forca që ka karakterin dhe përgjegjësinë për t’i dalë përballë sfidave dhe për të mos u tërhequr as kur ato sfida janë të jashtëzakonshme, siç në fakt janë sfidat që ne u detyruam të përballemi prej shumë kohësh dhe që na e kthyen mandatin e dytë në një luftë me dy fronte”.

“Nga njëra anë tërmeti me pasoja katastrofike dhe armiku i padukshëm që sulmoi gjithë botën menjëherë, uli në gjunjë vende shumë të mëdha e të fuqishme duke futur në situata dramatike sisteme shëndetësore nga më të përparuarat. Kur mijëra familje nuk kishin strehën mbi kokë pak kush e besonte atë që ndodhi më pas, procesin e shpejt dhe këmbëngulës të ringritjes dhe rindërtimit siç ne ja dolëm dhe po ja dalim ditë për ditë të shërojmë plagët e tërmetit dhe do t’i zhdukim të gjitha ato plagë deri në pranverën e ardhshme duke ndërtuar shtëpi, apartamente më të mira, shkolla, çerdhe, kopshte”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se, “ashtu ne do t’ia dalim më shpejt se shumë vende të tjera ta zmbrapsim e ta nxjerrim jashtë nga vendi ynë armikun e padukshëm”.

“Sepse ne kemi karakterin, këmbënguljen, besimin dhe durimin, sepse ne nuk pushojmë, nuk ndalojmë, por punojmë dhe besojmë te Shqipëria. Në këto kushte, kur jemi mu në mes të kësaj lufte, më duket e paimagjinueshme që ata që kanë dalë në këtë përballje flasin sikur këtu nuk ka luftë, asnjë rrezik për shëndetin, por vazhdojnë të përsërisin avazin e vjetër, duke u propozuar shqiptarëve të njëjtën gjë: ta çojnë Shqipërinë prapa dhe ta katandisin në pikën që duhet të nisen gjërat nga e para, por ne nuk do ta lejojmë. Nuk kemi kohë për pushim, nuk kemi kohë për të ndaluar, por do ecim përpara që Shqipëria të bëhet e ardhmja jonë, që fëmijët tanë të jenë krenarë për këtë shtëpi të përbashkët”, tha Rama. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.