Manastirliu: Brenda muajit maj, instalojmë rezonancën magnetike në Spitalin e Korçës


TIRANË, 6 prill/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar nga afër punimet për vendosjen e rezonacës së re në spitalin rajonal të Korçës.

“Unë jam shumë e kënaqur që në sajë të investimit të qeverisë shqiptare brenda muajit maj ne do të kemi mundësi që të instalojmë rezonancën magnetike edhe në Korçë. Për të përmirësuar akoma më shumë nivelin e shërbimeve të imazherisë në këtë qark. Një aparaturë e cila mungonte, por që në planet tona për të investuar edhe pse në një vit të vështirë si ky i pandemisë, ne arritëm që të kishim mundësinë për të dedikuar fonde të posaçme, në mënyrë që edhe Korça të kishte rezonancën magnetike dhe të mos duhej të transferohej deri në Elbasan për ta kryer atë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë ka shprehur vlerësimin e saj dhe ka falenderuar ekipin mjekësor të këtij spitali për punën në këto muaj të pandemisë.

“Gjej rastin që jam sot për t’ju falenderuar për gjithë punën që keni bërë si ekip të spitalit rajonal të Korçës. Shumë faleminderit për gjithë sakrificën, për punën e bërë në përballimin e një situate jo të lehtë për të gjithë gjatë një viti e ca tashmë”, tha Manastirliu.

Investimet e viteve të fundit në spitalin dhe maternitetin e Korçës kanë përmirësuar një sërë shërbimesh shumë të rëndësishme, të munguara më parë për banorët e këtij qarku.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.