Korça, destinacion që transformohet çdo ditë/ Këtë dekadë Shqipëria kampione e Ballkanit në turizëm

TIRANË, 6 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “para disa vitesh Korça ishte një vend ku të gjithë donin të iknin, ku rrënimi vazhdonte çdo ditë, dhe sot është një destinacion që çdo ditë transformohet”.

Në fjalën e tij gjatë Këndit të Fjalës me qytetarë të Bilishtit, Rama tha se, “tanimë shpirti i transformimit, i investimit i ka përfshirë të gjithë. Në çdo rrugicë të Korçës hapen bujtina të vogla fantastike, krijohen punë për ata që i kanë, punë për ata që shkojnë për të shërbyer në ato bujtina”.

“Hapen dyer për të pritur vizitorë, për të pritur turistë, natyrisht për të fituar me punë të ndershme përmes vënies në shfrytëzim të një motori të jashtëzakonshëm që është turizmi”, – theksoi Rama.

Më tej, Kryeministri Rama tha se, “Korça është një nga arsyet jo e vetmja që unë e them me bindje se në këtë dekadë ne do ta bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm, kampione të Ballkanit në agroturizëm, në eksportet bujqësore”.

“Nëse flasim për turizëm, për agroturizëm, për eksporte bujqësore edhe Devolli është një potencial i jashtëzakonshëm. E tha Niko Peleshi, po e them edhe unë, ne kemi vite që përpiqemi të kanalizojmë një investim në zonën e Nikolicës për t’i dhënë Shqipërisë shembullin e parë për ta hapur rrugën e parë të turizmit malor në një vend përrallor”, – theksoi Rama.

Duke e cilësuar një vend të bekuar, Rama tha se, “ne jemi në diskutime të avancuara me kompaninë që do të ndërtojë portin e madh turistik të Durrësit dhe që ka një interes shumë të madh që të futet në një investim edhe në këtë zonë për të ndërtuar pikën turistike të Nikolicës”.

“Që do të thotë jo vetëm vende pune të paguara shumë mirë, por do të thotë shumë njerëz që do të vijnë në këtë zonë. Edhe çfarë do të bëjnë njerëzit kur të vijnë në këtë zonë? Do të lëvizin dhe do të konsumojnë, që do të thotë rritje e shërbimeve në zonë. Sot në Korçë nuk shkohet dot po nuk rezervove 10 ditë para, dhe prandaj po shtrihen strukturat e mikpritjes jashtë Korçës. Kanë filluar të shkojnë në fshatrat rrotull. Edhe Pogradeci që është një tjetër destinacion që fuqizohet shumë me investime, po rrit numrin e shtretërve”, – tha Rama. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.