I renditur i 23-ti në listën e PS, Xhafaj: Isha i përgatitur, është çështje zemre të jesh socialist

TIRANË, 6 prill /ATSH/ Kandidati socialist Fatmir Xhafaj deklaroi mbrëmjen e sotme se ka qenë i përgatitur tërësisht për sfidën e 25 prillit dhe për renditjen i 23-ti në fletën e votimit.

Në një intervistë televizive Xhafaj tregoi dhe bisedën e zhvilluar me Erion Veliajn.

“Isha i përgatitur. Ne kishim miratuar një ligj zgjedhor që parashikonte një garë dhe një konkurrim. Isha i përgatitur si çdo njeri tjetër për efektin e këtij ligji në praktikë. Ligji zgjedhor na detyronte që të kishte edhe një konkurrim brenda nesh. Veliaj më kërkoi në takim dhe më tha që është ndjekur një filozofi në formulimin e skuadrave politike se ata që konsiderohen si njerëzit me më shumë eksperiencë dhe drejtuesit e qarqeve do të ishin në vijën e zjarrit. Unë isha përtej vijës së zjarrit, por kjo nuk më bëri përshtypje. Për dikë është një zgjidhje, për mua është një sfidë. Jetën nuk e kam pasur të lehtë e të shtruar, por kam kaluar nga sfida në sfidë. Në karrierën time politike jam përballur me shumë sfida në opozitë dhe pushtet”, tha ai.

Deputeti socialist u shpreh se është e rëndësishme kombinimi i gjeneratave brenda një force politike të madhe, sikurse është PS.

“Brenda një familjeje politike të madhe si PS kjo është një domosdoshmëri. PS ka pasur një kombinim të mirë të gjeneratave. Edhe në këtë ekip që është ndërtuar janë të trija gjeneratat. Për t’u bërë socialist është një gjë tjetër. Deputet të bëjnë, por socialist duhet të bëhesh. Është çështje ndjeshmërie, zemre të jesh socialist, nuk është çështje karrigeje. Skuadra është ndërtuar, tashmë është në garë dhe brenda saj ka edhe një konkurrim. Për garën vendosim të gjithë bashkë, ndërsa për konkurrimin vendosin qytetarët”, deklaroi Xhafaj, që në listën e kandidatëve të PS për Tiranën mban numrin 23.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.