Heqja e taksës së naftës/ Ekonomi në Shijak: Skema e mbështetjes, edhe në vitet në vijim

TIRANË, 6 prill /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi ka vijuar me shpërndarjen e kartave të naftës për fermerët, duke u ndalur ditën e sotme në Gjepalaj të Shijakut.

Sipas Ekonomit, deri më tani janë 20, 561 fermerë nga i gjithë vendin, që u bënë pjesë e kësaj skeme lehtësuese, nga të cilët deri më tani janë pajisur me karta 12 % e tyre.

“Ne kemi ndërtuar në bashkëpunim me AKSHI-n, një sistem online ku ju menjëherë bëni aplikimin dhe ai të mbetet aty përgjithmonë meqënëse skema e naftës është një skemë që do të vazhdojë dhe në vitet në vijim”, tha Ekonomi.

“Qeveria jonë është e angazhuar që në qoftëse këtë vit harxhoi 10 milionë dollarë për skemën e naftës, deri në fund të mandatit të ardhshëm, ne të kemi harxhuar 50 milionë dollarë. Kjo skemë ka dhe një veçori sepse nuk ju kërkon të keni paguar paraprakisht as taksën për tokën dhe as sigurimet shoqërore por vetëm në momentin që punoni tokën”, vijoi ajo.

Fermerët pohojnë se kjo skemë ka ndikuar drejtëpërdrejtë në uljen e kostos së prodhimeve bujqësore.

“Ne si fshatarë, si bujq kemi 30 vjet që e presim këtë përkrahje nga shteti. Na jep një impakt shumë të madh për zhvillimin e bujqësisë. Na lehtëson shumë punën me agregatet”, – u shpreh një fermer.

“Kjo është një gjë shumë e mirë sepse prek të gjithë komunitetin dhe kjo e lehtëson shumë fermerin” – tha një tjetër fermer.

Me mbylljen e aplikimeve në portalin e-Albania të fermerëve të regjistruar me NIPT, paralelisht me shpërndarjen e kartave, vijon shqyrtimi i dokumentacionit të vetëdeklaruar në e-Albania.

Aplikimet u kryen nga fermerë të të gjitha qarqeve të vendit, por numri më i madh i tyre është në qarkun e Korcës, Fierit, Beratit, Elbasanit, Dibrës dhe Tiranës.

Tërheqja e kartës bëhet në cdo pikë të Agjencisë së Ekstensionit Bujqësor në disa qarqe të vendit.

Implementimi i kësaj skeme, krahas të tjerash ka ndikuar pozitivisht në formalizimin e fermerëve, nëpërmjet pajisjes me NIPT. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.