Grumbullimet e opozitës/ Të sillemi si një komb serioz, vaksinimi masiv duhet të garantohet nga distancimi i përgjegjshëm

TIRANË, 6 prill/ATSH/ “Apeli im për të gjithë pavarësisht bindjeve politike, është shëndeti mbi të gjitha dhe të sillemi si një komb serioz, si një bashkësi njerëzish që nuk bëhen qesharakë në raport me një sfidë kaq të madhe dhe të jemi të bashkuar. Kur ndodh një fatkeqësi njerëzit bashkohen, nuk ndahen”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Bilisht të Korçës.

“Kur luftojnë me një armik të përbashkët popujt seriozë bashkon nuk ndahen edhe nëse kanë mes tyre politikanë sharlatanë, jo seriozë, të papërgjegjshëm, qesharakë, që i bëjnë thirrje instikteve më të ulëta të njeriut, hakmarrje për revansh”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se, “ne duhet të jemi të bashkuar, sepse ne duhet e do ta fitojmë me patjetër këtë luftë, siç po fitojmë luftën me pasojat e tërmetit, siç po kthejmë çdo ditë njerëz, familje të varfra se ato kanë qenë më të goditura në shtëpi shumë herë më të forta e më të bukura, më të mëdha se ato që kanë pasur, siç po kthejmë përditë në shkolla fantastike nxënës e mësues duke i vënë në kushte më të mira, siç po kthehen në kopshte e çerdhe që nuk i kishin imagjinuar komunitetet në zonat periferike fëmijët e vegjël”.

“Ne do t’i kthejmë buzëqeshjen gjithë shqiptarëve dhe do ta shporrim këtë armik të padukshëm”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “vaksinimi masiv duhet të garantohet nga distancimi i përgjegjshëm”.

“Nuk mundet që nga një anë të vaksinojmë masivisht dhe nga ana tjetër të krijojmë infektime për vota, për shfaqje elektorale, vatra infektimi që siç ka treguar eksperienca e hidhur e Kosovës, Malit të Zi dhe vendeve të tjera sjellin mbrapa halle të mëdha për gjithë popullin”, – tha Rama.

Kryeministri Rama tha se “shikoni numrat e infektimeve në Kosovë dhe fatkeqësisht numrin e jetëve të humbura po ashtu në Malin e Zi. Deri para zgjedhjeve dukej rozë. Mali i Zi ftonte turistët se ishte vend i paprekur nga COVID, sot ka hyrë në një spirale të dhimbshme nga marshimet e tubimet elektorale, mos ndodhtë kurrë këtu, humbën jetën disa nga organizatorët dhe u plagosën shumë nga marshuesit”.

“Pse duhet kjo? Nuk e bëjmë dot ne një fushatë elektorale dinjitoze dhe serioze si njerëz të përgjegjshëm, si njerëz që jemi në radhë të parë njerëz, pastaj jemi politikanë, si njerëz në radhë të parë jemi shqiptarë, pastaj jemi demokratë e socialistë?!” – shtoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se, “si nuk e bëkemi dot ne këtë? Si u bëkemi ne lolo duke sfiduar një armik të padukshëm, që nuk do t’ia dijë fare as për trimëri e as për sfida të tilla, sepse kudo ku gjen shesh bën një përshesh”.

“Kjo është e tmerrshme siç është e rëndë që ne kemi përballë një opozitë që sapo ndodh diçka shumë e madhe ose shumë e vogël, bëhet me të keqen kundër zgjidhjes, jo kundër nesh”, – tha Rama./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.