Gjimnazi “Petro Nini Luarasi” dhe qendra e re sociale “Motrat Qirjazi”, dy hapësira të rilindura për kolonjarët


TIRANË, 6 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Kolonjë, në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” dhe në qendrën e re sociale “Motrat Qirjazi”, dy hapësira të rilindura për kolonjarët.

I shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Kolonjës, Erion Isai, Rama vizitoi kompleksin e shkollave të Kolonjës, me shkollën 9-vjeçare të rikonstruktuar para disa vitesh, ndërkohë që këtë vit janë përmbyllur punimet në gjimnazin e qytetit.

“Kemi përmbyllur ndërhyrjen e plotë në gjimnazin ‘Petro Nini Luarasi’. Kolonja ka 8 muaj dimër ndaj dhe ne kemi projektin e palestrës. Në këtë shkollë kemi investim të plotë të qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Arsimit. Shkolla disponon të gjitha kushtet për nxënësit e qytetit dhe plotëson gjithë kampusin e shkollave për qytetin e Ersekës. Kemi mbyllur dhe shkollën e Leskovikut. Shkolla nuk ka pasur asnjë lloj kushti që kur ishte ndërtuar, ishte i degraduar gjithë ambienti i shkollës, ndërkohë që tani ka kushte më të mira”, tha Isai.

Ndërkohë projekti i palestrës, sipas tij, parashikon jo vetëm zhvillimin e lëndës së fizkulturës, por që ta kthejmë ambientin në shkollë komunitare.

Po ashtu, Isai tha se në bashkëpunim me FSHZH po realizohet projekti për të ndërhyrë në fasadat dhe çatitë e pallateve të qytetit.

“Rikualifikimi urban ka ndryshuar radikalisht qytetin dhe ju ka dhënë banorëve shpresën dhe ndjesinë që ky qytet dhe vend e meriton këtë vëmendje. Ka rritur vlerën e shtëpive që janë aty për t’i dhënë gjithë Kolonjës aspektin turistik. Lagjja është me sistem kapot, ndaj banorët kursejnë për ngrohje, pasi ka efikasitet 50 %”, tha ai.

Ndërkohë në ambientet e ish-çerdhes, sipas tij, është ngritur qendra sociale “Motrat Qirjazi”. “Qendra ka 48 shtretër dhe funksionon e kombinuar. I shërben komunitetit dhe qytetit. Strehojmë gra të dhunuara, ndërsa kati i parë do të shërbejë si qendër ditore për moshën e tretë me mencë sociale me ushqim falas për familjet vulnerabël”, tha ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.