E para në listën e PS, Eni Zake: Korça model i zhvillimit, ja strategjia ime për të mbështetur arsimin, gratë dhe të rinjtë

TIRANË, 6 prill/ATSH/ Partia Socialiste në Korçë ia ka besuar kryesimin e listës së kandidatëve për deputetë, një profesionisteje si Eni Zake që në mënyrë të veçantë ka zgjedhur të kandidojë në këto zgjedhje me një strategji konkrete veprimi në mbështetje të ekonomisë lokale, arsimimit, grave dhe të rinjve.

Ajo thekson se për të “gratë sipërmarrëse janë ato që duhen lehtësuar dhe mbështetur sepse eksperienca e viteve të fundit ka treguar që çdo grua me pak mbështetje ia del të ketë sukses”.

Zake, e cila e ka ndërtuar jetën dhe karrierën e saj në Korçë, shton se në 8 vite të qeverisjes Rama, Korça është shndërruar jo vetëm në një qytet model falë investimeve të Rilindjes Urbane, por në destinacionin më të preferuar turistik në Shqipëri, jo vetëm për turistët vendas, por dhe të huaj. “Sot Korça po përthith shumë investitorë, të cilët po investojnë në ndërtimin e hoteleve, bujtinave, restoranteve, qendrave argëtuese etj.”, shton Zake. Sipas saj, mandati i tretë për Partinë Socialiste është një domosdoshmëri për të çuar përpara projekte të tjera mjaft ambicioze për t’i dhënë jo vetëm Korçës, por gjithë Shqipërisë të ardhmen e sigurt, të qëndrueshme dhe me mundësi të barabarta për gjithësecilin.

– A keni mundësinë që të kryesoni listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste. Çfarë do të thotë për ju kjo mundësi dhe cilat janë sfidat që do të doni të adresoni përmes kësaj detyre?

Është besim i dhënë që të vendos përballë përgjegjësisë që duhet të tregosh për çdo njeri që do të përfaqësosh. Kështu e shoh unë mundësinë e kryesimit të listës së kandidatëve të Partisë Socialiste. Për mua do të thotë dyfish përgjegjësi për të përfaqësuar denjësisht këtë forcë politike në Parlament dhe për të dhënë kontributin tim si një detyrim ndaj vetes, familjes dhe gjithë banorëve të Korçës. Për sa i përket sfidave kryesore, në Parlament secili ka detyrimin të bëjë më të mirën për të mbështetur komunitetin e tij, por edhe për të marrë vendime të denja që përmirësojnë jetesën e çdo shqiptari. Ndaj do të fokusohem në 4 fusha: ekonomia, arsimi, gratë dhe të rinjtë. Për ekonominë, sfida kryesore e ditëve sotme është rimëkëmbja e ekonomisë nga efektet e pandemisë dhe rritja e zhvillimit ekonomik përmes politikave nxitëse për biznesin dhe sipërmarrjet e reja. Si specialiste e kësaj fushe, gjatë gjithë karrierës time profesionale kam kontribuar dhe do vazhdoj të kontribuoj në përmirësimin dhe rimëkëmbjen e ekonomisë korçare, ekonomisë familjare dhe atë të bizneseve. Përvoja si drejtuese e Degës së Thesarit Korçë, Administratores së Universitetit “Fan S. Noli”, anëtares së këshillit bashkiak (kryetares së Komisionit të Ekonomisë) etj., dëshmojnë jo vetëm për angazhimin tim në këtë fushë, por gjithashtu përbëjnë boshtin kryesor të strategjisë dhe plan veprimit për periudhën 2021-2025. 0 tatim mbi pagën deri në 40 000 lekë duke filluar nga janari 2022; 0 tatim mbi pagën dhe 0 TVSH për biznesin e vogël deri në 2029; si dhe rritja e pagës minimale deri në 40 000 lekë. Jam e bindur se ky planveprim (e theksoj planveprim dhe jo premtim elektoral siç jemi mësuar të dëgjojmë rëndom) është garanci për të gjithë qytetarët se do rritim ndjeshëm ekonominë shqiptare dhe nga ky program do të fitojnë të gjithë. Falë taksës progresive, sot 97 % e qytetarëve pagamarrës, fitojnë më shumë se më parë. Lidhur me arsimin, përvoja personale si studente e Universitetit “Fan S.Noli” dhe më pas si pedagoge e ftuar dhe administratore e këtij universiteti, e qartësojnë vizionin tim në lidhje me atë çfarë duhet bërë për ta çuar një hap përpara arsimin. Rritja e cilësisë së mësimdhënies, përmirësimi i infrastrukturës universitare dhe mbështetja e studentëve për përballimin e kostove financiare, janë pikat kryesore nga dua ta filloj punën time si deputete. Besoj fort se do kem mbështetjen e studentëve dhe stafit akademik në këtë garë, të cilët pavarësisht bindjeve politike janë dëshmitarë të punës time për universitetin. Por unë nuk jam vetëkënaqur e as mjaftuar me punën dhe gjithçka të arritur deri tani. Prandaj kërkoj më shumë sepse studentët dhe universiteti meritojnë më shumë!

Sa i takon grave, unë besoj fort (pa dashur të hedh poshtë meritat dhe punën e burrave) që gratë janë forca më e madhe që venë në lëvizje ingranazhin e zhvillimit të familjes dhe gjithë shoqërisë. Me problemet e gruas korçare jam njohur mjaftueshem si bashkëshorte, nënë dhe grua në karrierë. Prandaj do mbështes fort gratë dhe vajzat të kapërcejnë mjaft bariera dhe do jap motivimin tim për zhvillimin e karrierës së tyre, fuqizimin ekonomik dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në vendimarrjet politike dhe publike. Për mua gratë sipërmarrëse janë ato që duhen lehtësuar dhe mbështetur, sepse e ka treguar eksperienca e viteve të fundit që cdo grua me pak mbështetje ia del të ketë sukses. Theks i veçantë do të vendoset tek barazia gjinore, ndërgjegjësimi i shoqërisë për avancimin e saj dhe reduktimin e dhunës më bazë gjinore. Ndërsa të rinjtë janë e ardhmja. Janë fantastikë, ka aq shumë të rinj korçarë të cilët kanë ecur me sukses dhe kanë arritur edhe majat. Nuk ju mungojnë aftësitë, janë të zgjuar, të zotë dhe të suksesshëm. Patjetër që në fokusin tim mbetet arsimimi dinjitoz në mënyrë që të pajisen me kompetencat e duhura pas përfundimit të studimeve dhe më pas ta kenë më të lehtë të punësohen si në sektorin privat, ashtu edhe në atë shtetëror. Korça, me mbështetjen e bashkisë, ka hedhur hapat e parë në krijimin e Qendrës së Zhvillimit të Inovacionit dhe Teknologjisë në fushën e startup-eve, freelancer-ave, social media manager etj. Punësimi i të rinjve bazuar në meritë është zotimi im.

– Ju keni lindur e jeni rritur në Korçë. Pas studimeve jashtë shtetit riktheheni sërish për ta ndërtuar këtu rrugëtimin tuaj profesional. Çfarë ju ka mbajtur kaq të lidhur me këtë qytet?

Në fakt asnjëherë nuk jam larguar për një periudhë të gjatë kohore nga ky qytet, sepse në Korçë kam familjen, prindërit, të afërmit, miqtë dhe mudësitë që më janë krijuar për të zhvilluar karrierën time profesionale, jo vetëm më mbajnë të lidhur me qytetin, por më shtojnë motivimin për të kontribuar me tepër këtu. Çdo njeri kërkon hapësira dhe mundësi për veten e tij, unë zgjodha të ndërtoj jetën time në Korçë. Së fundmi, numri i atyre që kanë vendosur të rikthehen pranë këtij qyteti për krijimin e familjes dhe zhvillimin e karrierës, ka pësuar rritje. Kjo për shkak të hapësirave dhe mundësive të shtuara falë transformimit përmes Rilindjes Urbane dhe mbështetjes së të rinjve me anë të politikave nxitëse.

– Korça sot në fakt ka pësuar shumë ndryshime përmes Rilindjes Urbane që besoj se kanë zgjuar impulse të reja për zhvillimin lokal. Si e keni parë ju si profesioniste me profil ekonomik, zhvillimin e viteve të fundit të qytetit?

Gjatë këtyre 7-8 viteve Korça është shndërruar jo vetëm në një qytet model, por në destinacionin më të preferuar turistik në Shqipëri, jo vetëm për turistët vendas, por dhe të huaj. Një turizëm gjithëstinor që do të thotë ekonomi më e mirë për lokalitetin këtu në çdo muaj të vitit. Falë mbështetjes të qeverisë dhe bashkëpunimit të frytshëm me pushtetin vendor janë realizuar projekte madhore si restaurimi i Pazarit të Vjetër, parku “Rinia”, Qyteza e Fëmijëve, Muzeu i Artit Mesjetar, rikontruksioni i Maternitetit, rikonstruskioni i teatrit “Andon Zako Çajupi”, Markata e Shijes, e shumë projekte të tjera, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën e çdo qytetari duke lënë pas shumë vështirësi sociale dhe ekonomike, sepse turizmi është tashmë motori më i fuqishëm që po gjeneron të ardhura për shumë familje korçare. Sot Korça po përthith shumë investitorë, të cilët po investojnë në ndërtimin e hoteleve, bujtinave, restoranteve, qendrave argëtuese etj., duke nxitur turizmin, punësimin dhe për rrjedhojë zhvillimin. Kemi fshatra, modele të turizmit si Voskopoja, Boboshtica, Dardha etj., që falë investimeve në infrastrukturë dhe jo vetëm, i kanë dhenë zhvillim të gjithë rajonit.

– Ju jeni prej shumë vitesh pjesë e partisë socialiste, edhe si anëtare e asamblesë kombëtare, keni patur mundësinë ta shihni se si rritet e lufton në shumë beteja elektorale. Përse mendoni se sot pas 8 viteve qeverisjeje, është ende forca që duhet t’i besohet një tjetër mandat?

Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që e ka ringritur shumë herë Shqipërinë e shkatërruar nga ata që sot janë në opozitë dhe sërisht po kërkojnë të marrin pushtetin. Pas këtyre 8 viteve qeverisjeje, që nuk kanë qënë aspak të lehta jo vetëm për shkak të termetit, por edhe të pandemisë së COVID-19, kërkojmë nga qytetarët të mos dorëzohen, por t’i besojnë Partisë Socialiste mandatin e tretë. Mandati i tretë për PS është një domosdoshmëri për të çuar përpara projekte të tjera mjaft ambicioze për ti dhënë jo vetëm Korçës, por gjithë Shqipërisë të ardhmen e sigurt, të qëndrueshme dhe me mundësi të barabarta për gjithësecilin!

/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.