BKH hap konkursin për 32 vende vakante për hetues/ Kriteret që duhet të plotësojnë

TIRANË, 6 prill/ATSH/ Byroja Kombëtare e Hetimit ka shpallur hapjen e konkursit për 32 vendet vakante për hetuesit.

Në një njoftim për shtyp, BKH thekson se kandidatët duhet të kenë eksperiencë në fushat e përcaktuara në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, si dhe në fushat që kanë lidhje me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Hetuesit e BKH-së kanë përgjegjësinë të kryejnë hetime penale nën drejtimin e Prokurorëve të Posaçëm dhe kanë statusin e oficerit të policisë gjyqësore.

Sistemi i përzgjedhjes së hetuesve të BKH-së është një proces sfidues mendor dhe fizik, i përgatitur për të gjetur kandidatët më të aftë dhe me integritet. Ata që janë të suksesshëm në procesin e përzgjedhjes do t’i bashkohen një skuadre elitë që mbështet Prokurorët e Prokurorisë së Posaçëm të cilët do të ndjekin dhe hetojnë veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, objekt i Ligjit nr 95/2016.

Kandidatët për Hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të përmbushin kushtet e sigurisë të nenit 6 e nenit 38 të Ligjit nr. 95/2016. Një kandidat nuk mund të caktohet në detyrë si Hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit pa përmbushur kushtet e sigurisë dhe kushtet e aftësive profesionale.

Kandidati për Hetues duhet të plotësojë dhe dorëzojë disa kritere si plotësimi i aplikimit online në web i BKH-së, përfshirë një curriculum vitae elektronike dhe dokumentet mbështetëse.

Nëse vlerësohen si kandidatë të mundshëm, aplikantët do t’i nënshtrohen procesit të mëposhtëm të përzgjedhjes (Testimet e përzgjedhjes, LINK 2, LINK3): Një provim me shkrim e me gojë, ku përfshihen teste konjitive, të sjelljes dhe të arsyetimit logjik;
Një provim të zgjeruar me shkrim që mat aftësitë e shkrimit të raporteve, si dhe nivelin e shkrimit e leximit; Një intervistë nga një komision që mat aftësitë e komunikimit verbal, si dhe aftësinë për t’i komunikuar idetë me eficiencë; Një testim të aftësive fizike që mat forcën dhe rezistencën fizike.

Dhënia e pëlqimit për t’iu nënshtruar testit të poligrafit rreth integritetit të kandidatit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit merret në konsideratë gjatë procesit të emërimit.

Lidhur me kontrollin e verifikimit të pasurisë dhe figurës kandidati i pranuar do ti nënshtrohet një regjimi rigoroz trajnimi dhe arsimimi, me një sërë modulesh vlerësimi që duhen kaluar përpara se të certifikohet. Pasi është certifikuar si i trajnuar dhe i aftë, kandidati konsiderohet hetues.

Byroja Kombëtare e Hetimit zbaton politikën e barazisë në të gjitha praktikat e punësimit. Barazia e mundësive është prioritet i lartë i Byrosë Kombëtare të Hetimit, nuk diskriminon asnjë kandidat në mënyrë të paligjshme, të padrejtë apo të paarsyeshme në bazë të gjinisë, statusit martesor, orientimit seksual, fesë apo besimit, racës, kombësisë apo origjinës etnike.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.