Biblioteka e Korçës, ultramoderne/ Qendra të mësimeve të teknologjisë së lartë nga veriu në jug brenda kësaj dekade

TIRANË, 6 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vizitoi sot bibliotekën e Korçës, ku ndodhet edhe qendra e re e mësimeve të tekonologjisë së lartë.

“Plani ynë i Veprimit 2021-2025 do të krijojë qendra të tilla fillimisht në disa bashki qendra qarku, në Veri e në Jug, për t’i shtrirë ato në krejt bashkitë e vendit brenda kësaj dekade ku kemi hyrë”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “në Bibliotekën ultramoderne të Korçës, po merr jetë edhe qendra e re e mësimeve të teknologjisë së lartë, për t’i futur të rinjtë në rrugën e punësimit në tregun global online, ku pa qenë aspak të detyruar të lëvizin nga vendlindja ata mund të krijojnë të ardhura të larta”.

Kryeministri Rama pa nga afër punën që bëhet në këtë qendër nga të rinjtë e apasionuar pas teknologjisë së lartë.

“Ky projekt është shembulli parë i një zinxhiri që sipas planit tonë të veprimit 2021-2025 do ta shtrijmë gradualisht në qendra qarqesh pastaj më tutje në çdo bashki. Ne duam që brenda kësaj dekade rinisë shqiptare t’i jepet një alternativë shumë e fuqishme përfshirjeje në tregu global pa qenë nevoja për të marrë rrugët e për të lëvizur jo nga qyteti, por as nga shtëpia dhe për të qenë aktorë në një treg ku ka shumë punë dhe të ardhura më të larta se ato që garanton tregu i brendshëm”, – tha Rama.

Fakti, vijoi Kryeministri, që jemi këtu me këta partnerë të shkëlqyer dhe që ka filluar puna tregojnë se nuk është ëndërr më, as një dëshirë, por një program i nisur.

“Plani ynë i veprimit ka edhe aspektin e financimit të këtyre qendrave, e përfshirjes dhe stimulimit të të rinjve. Ne sot këtu me dy partnerë që më të mirë s’kishim ku t’i gjenim për të filluar, me bashkinë e Korcës dhe UBT e Prishtinës jemi shumë të bindur që falë edhe një skuadre galaktikos që janë mbledhur këtu si ufo të dalë nga filmat fantastiko-shkencorë, ne do ia dalim të transformojmë këtë ëndërr që po futet në rrugën e realitetit, në një realitet të kudondodhur, duke filluar nga disa qendra qarqesh dhe duke u shtrirë në të gjitha qendrat urbane të Shqipërisë”, – tha Rama.

Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo tha se, “programi më i madh i bashkisë së Korçës është ai që synon mbështetjen e teknologjisë dhe nëpërmjet teknologjisë krijimin e hapësirave të pafundme të punësimit për të rinjtë e të rejat e bashkisë sonë. Ky është një program që synon nga njëra anë trajnimin e sa më shumë të rinjve në teknikat e teknologjisë së informacionit, dhe nga ana tjetër mbështetjen e bizneseve të kësaj fushe që do të duan të vijnë të hapin degët e tyre në qytetin tonë”.

“Hapjen e kësaj qendre në qendër të qytetit ne kemi zgjedhur ta menaxhojmë me një partner shumë serioz siç është Universiteti për Biznes dhe Teknologji i Prishtinës (UBT). Jam shumë i bindur se falë eksperiencës së UBT, investimit të bashkisë dhe mbështetjes së qeverisë, që jam i bindur do ta kemi edhe në të ardhmen Korça do të jetë një model suksesi jo vetëm kombëtar, por edhe rajonal”, theksoi Filo./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.