Basha, takim me gra në njësinë 3: Administrata publike do të jetë krenaria e shoqërisë

TIRANË, 6 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me gra në njësinë 3 në Tiranë, ku ka dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre.

E pranishme në takim ishte dhe drejtuesja politike, njëkohësisht edhe kandidate për deputete e Partisë Demokratike në Tiranë, Jorida Tabaku, e cila tha se gratë në këtë zonë kanë problematika shumë të mëdha, sepse varfëria është shumë e madhe.

Kreu i PD tha se qeveria e ardhshme ka hartuar një plan për rimbursimin e të gjithë familjeve që janë detyruar të hyjnë në borxh për t’u kuruar nga koronavirusi.

“Prandaj një nga gjërat që ne do të bëjmë, qeveria jonë do të bëjë dhe ka filluar puna që sot, do të hartojmë një paketë ndihme ekonomike për të gjithë ato familje që kanë shpenzuar qimet e kokës dhe janë futur edhe në borxh për t’u kuruar nga koronavirusi. Këta kanë premtuar një rimbursimin modest katër muaj pasi ne paraqitëm një plan të të gjithë shpenzimeve të atyre që janë me kovid”, u shpreh Basha.

“Këta me letra kaluan gjoja njëfarë rimbursimi, që s’është asgjë dhe që e kanë marrë shumë pak njerëz. Ndërkohë që numri i familjeve që kanë shpenzuar miliona për t’u kuruar është shumë i madh. Është një peshë e jashtëzakonshme e shpenzimeve familjare, shumica e familjeve janë zhytur në borxh. Prandaj po ju them që një nga hapat e parë që do të bëjmë është hartimi i një pakete financiare për të dëmshpërblyer financiarisht mijëra familje shqiptare që janë detyruar të futen në borxh për të kuruar të afërmit e tyre të sëmurë nga koronavirusi”, tha Basha.

Ndërsa sa i përket administratës, Basha tha se 25 prilli është dita për t’u ndarë nga vargonjtë e administratës së korruptuar dhe hapjes rrugë një administrate që t’u shërbejë qytetarëve dhe të jetë krenaria e shoqërisë.

“Administrata është degraduar dhe degjeneruar në një pikë të paimagjinueshme. Unë e di që ka shumë në administratë të cilët duan të shërbejnë, por që e gjejnë të pamundur të shërbejnë me këtë kryeministër dhe me këtë qeveri. Atyre ju drejtohem dhe ju them që 25 prilli është dita për t’u ndarë nga vargonj që ju detyrojnë të ulni kokën, që ju detyrojnë të shkelni mbi etikën dhe moralin tuaj, për të mbajtur një vend pune për të mbajtur bukën e fëmijëve. Administrata publike do të jetë krenaria e shoqërisë”, u shpreh Basha. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.