Basha: PD me një program propozimesh që parashikon rritje ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve

TIRANË, 6 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se programi i paraqitur është hartuar në bashkëpunim me mbi 500 ekspertë për një periudhë kohore prej më shumë se 2 vjetësh.

“Partia Demokratike vjen me një program propozimesh, planesh, të cilat janë të përllogaritura për të dhënë impaktin maksimal në synimin tonë, në objektivin tonë madhor që është mirëqenia e shqiptarëve, që është rritja e vendeve të punës, rritja e pagave dhe dalja nga cikli i krizës ekonomike 8-vjeçare ku e ka futur vendin keqqeverisja e Edi Ramës”, tha Basha gjatë një interviste televizive.

Kreu i PD-së theksoi se ka një grusht njerëzish që duan ta mbajnë Shqipërinë kështu siç është, të lodhur e të pashpresë. Por, tha më tej ai, shqiptarët e kanë marrë vendimin dhe do ta materializojnë më 25 prill.

“Zgjedhjet e 25 prillit i takojnë shqiptarëve. Ka një grusht që duan ta mbajnë Shqipërinë kështu siç është, ku është, të varfër, të pashpresë, të lodhur, të pavendosur, plot dyshime dhe gati për tu larguar nga vendi, siç tregojnë sondazhet. 70 shqiptarë në 100 po t’ju jepet mundësia e lënë Shqipërinë. 95 në 100 studentë jashtë nuk duan të kthehen në Shqipëri”, deklaroi Basha.

Basha tha se Rama duhet të japë llogari se çfarë bëri me programet, me planet dhe me premtimet e tij.

“Ku i ke 300 mijë vendet e punës? Ku e ke shëndetësinë falas? Ta zbuloi pandemia se në çfarë gjendje është. Ku e ke uljen e taksave për 97 % të shqiptarëve?” – tha Basha.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.