Basha, bashkëbisedim me të rinj në Vaun e Dejës: PD parashikon rritjen e fondeve për Arsimin

TIRANË, 6 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bashkëbiseduar me disa të rinj të Vaut të Dejës rreth problemeve që i shqetësojnë.

Në bisedën që patën me Bashën, ata shprehën problematikat e infastrukturës shkollore dhe mangësitë e mësimin online.

Basha tha se problemet me arsimin janë shkak i mostrajtimit dinjitoz të arsimtarëve dhe keqpërdorimit të fondeve për këtë sektor dhe keqqeverisjes në përgjithësi.

Sipas tij, kjo shikohet në mbylljen e rreth 400 shkollave për shkak të neglizhencës dhe shpopullimit të vendit.

Ai tha se plani i Partisë Demokratike parashikon rritje pagash, rritje fondesh për arsimin dhe krijimin e kushteve që nxënësit dhe studentët të kenë mundësi për të zhvilluar mësimin online.

“Kjo qeveri dhe ky kryeministër e ka lënë Shqipërinë në baltë dhe i ka lënë këta fëmijë në baltë dhe kjo duket më shumë se kudo tjetër tek gjendja e arsimit. Tek gjendja e arsimit universitar i cili s’ka si të jetë më i mirë, kur gjendja në arsimin parauniversitar është njësoj. Trajtimi jo dinjitoz i arsimtarëve që ka çuar në rënin e cilësisë së mësimdhënies, militantizmi, deprofilizimi, i rekrutimit të mësuesve”, u shpreh Basha.

“Ne kemi studiuar prej më shumë se 3 vitesh situatën në vend dhe na rezulton se në veçanti zonat rurale apo në zonat e vogla kanë arritur paradokse të tilla, sa që një mësues i kualifikuar për një lëndë, jep një lëndë tjetër. Sa i përgatitur është një mësues gjeografie të japë kimi? Apo anasjelltas. Dhe e gjitha kjo është bërë nën fasadën e ashtuquajturit portal që s’është gjë tjetër vetëm një fasadë që mbulon apo si të themi nuk mbulon dot dështimin me arsimin. Si rezultat i kësaj shumë familje janë detyruar ti çojnë fëmijët në shkolla private që është një kosto shtesë. Janë futur në borxhe për këtë madje, sepse ne e dimë që shqiptarët nuk kursejnë asgjë për arsimin e fëmijëve të tyre”, u shpreh Basha.

“Por a e meritojnë të kenë këtë gjendje të arsimit sot? Sigurisht që jo! Taksat janë rritur. Ka 8 vjet që shqiptarët paguajnë taksa më të larta për shkak të Edi Ramës. Çmimet janë rritur. Këto para shkojnë në arkën e shtetit por nuk kthehen te qytetari, nuk kthehen tek familjet e shqiptarëve, nuk kthehen në punësim, nuk kthehen në shëndetësi dhe nuk kthehen në arsim me cilësi. Ndërkohë deri në dhjetëra  të këtij viti rritja totale e pagave për arsimtarët ishte disa herë më e vogël se inflacioni dhe vetëm kur erdhën zgjedhjet u kujtuan të bëjnë një rritje minimale për pagat bazë. Arsimtarë të pa respektuar, të pa paguar që nuk janë në gjendje të mbajnë  fëmijët e tyre, të shpërndarë larg vendbanimeve që do të thotë kosto e rritur e transportit. Gjëja e parë që do të korrigjojmë  është që ne do t’i kthejmë dinjitetin arsimtarëve shqiptarë duke ju rritur pagat dhe duke ju bërë të mundur që ata detyrën e tyre që është e dyta më e shenjta pas prindit ta kryejnë me dinjitet dhe me përgjegjësi maksimale. Dhe vetëm në këtë mënyrë mund të flasim pastaj për hapat e tjerë, ku hapi i dytë është infrastruktura fizike”, theksoi Basha.

Kreu i opozitës përsëriti se pjesë e planit është edhe krijimi i vendeve të punës me paga dinjitoze për të gjithë studentët pas diplomimit, e cila do të arrihet në bashkëpunim me Aleancën e Universiteteve Europiane. Mbështetje me bursa do të ketë edhe për studentët që nuk kanë mundësi ekonomike për t’u shkolluar.

Basha gjithashtu tregoi se si do të mbështeten çiftet e reja që sot e kanë të pamundur të sigurojnë një banesë dhe të krijojnë familje.

“Dhe tek ndërtimi i familjes po kështu kemi parashikuar dy masa. Masa e parë ka të bëjë me strehimin. Një nga problemet e çifteve të reja është që nuk sigurojnë dot një banesë. Stabilizimi i tregut të ndërtimit  është një nga politikat, por politika kryesore është subvencionimi 100 % i interesave të kredive për 5 mijë çifte të reja në vit. Do të thotë 5 mijë çifte të reja në vit, 20 mijë në krye të 4-vjeçarit tonë të parë do të përfitojnë që interesi bankar kur blen një banesë do t’ju paguhet nga qeveria e tyre. Synimi kryesor është që të kemi themelimin e familjeve të reja se ka rënë numri i familjeve të reja, çifteve të reja. Pak na largohen në emigracion, ndërsa çiftet e reja nuk kanë mundësi të bashkëjetojnë, ku s’kanë  mundësi të bashkëjetojnë e kanë shumë më të vështirë të fillojnë të kenë fëmijë”, tha Basha.

“Masa e dytë është që për çdo të porsalindur gjatë qeverisë Basha, për çdo të porsalindur deri në moshën 5 vjeç, ne do të paguajmë një bonus mujor, çek mujor prej 30 mijë lekësh të vjetra në muaj për të përballuar koston e një fëmije që nga pelenat kur është i vogël e deri 5 vjeç”, theksoi Basha. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.