64 anije peshkimi fituese të granteve të “Fishing Blue”/ Ekonomi: Përgatitemi të çelim thirrjen e 2-të

TIRANË, 6 prill/ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi bëri të ditur sot se ka përfunduar lidhja e kontratave me 64 anije peshkimi, fituese të granteve të projektit “Fishing Blue”.

“Kjo thirrje e projektit angazhoi rreth 600 mijë euro, ndërsa projekti do të vazhdojë mbështetjen, duke synuar menaxhimin dhe mbrojtjen e burimeve të peshkimit në përputhje me Politikën e Përbashkët të Peshkimit të BE-së”, tha ministrja.

Ajo informoi se po përgatitet të hapet edhe thirrja e dytë.

Përmes projektit “Fishing Blue” që po zbatohet me fondet e Bashkimit Europian, i cili jep një mbështetje prej 1,4 milionë euro, synohet përmirësimi i menaxhimit dhe mbrojtjes së burimeve të peshkimit në përputhje me Politikën e Përbashkët të Peshkimit të BE-së.

Për këtë vit, nga 66 aplikime në sektorin e peshkimit, janë shpallur fitues të granteve nga projekti “Fishing Blue”, 64 flota të anijeve të peshkimit. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.