400 milionë dollarë eksportet në bujqësi/ Agroturizmi, embrioni i një industrie të re

TIRANË, 6 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Kolonja se “kemi rritur eksportet e prodhimeve bujqësore nga 100 milionë dollarë që ishin pak vite më parë në 400 milionë dollarë dhe do t’i çojmë në 1 miliard dollarë”.

Kjo, sipas tij, “është plotësisht e mundur sot falë punës së madhe të bërë për të hapur gjithë rrugët e ujitjes të tokave”.

Rama tha se “ne kemi në Shqipëri dyfishin e tokës që punohet. Kemi pasur rreth 120-125 mijë ha, sot kemi 230-235 mijë ha. E pra, jemi në kushte krejt të tjera, të cilat nuk mjaftojnë absolutisht për të thënë që ja kemi dalë, por mjaftojnë si garanci se ka vetëm një forcë, nuk ka tjetër që mendon për fermerët”, tha Rama.

“Kush i garanton interesat e fermerëve si PS? Mjafton të numëroni zinxhirin e pikave të grumbullimit. Kur erdhëm ne Shqipëria ishte një vend ku nuk gjeje dot një pikë grumbullimi, sot kemi 183 pika grumbullimi me standarde ndërkombëtare, ku 30-35 janë në ndërtim e sipër me dhoma frigoriferike”.

Kryeministri theksoi se, “agroturizmi ka filluar të jetë embrioni i një industrie të re. Shqipëria kampione në Ballkan nuk është utopi, por është po kaq e dukshme dhe e prekshme sa dielli, por na duhet punë, shumë këmbëngulje dhe shumë durim për të arritur dhe do t’ja arrijmë”.

“Do t’ia arrijmë siç kemi arritur t’i transformojmë këto qendra urbane, siç transformon dita natën. Këtu ishte një vend ku të gjithë donin të iknin, sot është një vend ku me plot gojë mund të thuash se shumë më tepër vizitorë e turistë do të vijnë muaj pas muaji, vit pas viti”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.