Zgjedhjet e 25 prillit/ Miratohet varianti përfundimtar i fletëve të votimit

TIRANË, 5 prill /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar variantin përfundimtar të fletëve të votimit. Krahas partive politike, votuesit do të mund të vendosin kryq ose plus tek një nga numrat e kandidatëve për deputetë.

Zyra e shtypit e KQZ ka shpërndarë për mediet variantet përfundimtare të miratuara. Fletët e votimit ndryshojnë nga njëri qark në tjetrin në bazë të numrit të kandidatëve, ndërsa formati i fletës mbetet i njëjtë.

Kolegji Zgjedhor një ditë më parë pranoi kërkesën e Partisë Socialiste që qytetarët të votojnë me numra në zgjedhjet e 25 prillit.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka sqaruar sot se në fletën e votimit nuk do të ketë emra, por numrat në këtë fletë votimi tregojnë kandidatët të renditur sipas asaj renditje që ka sjellë partia politike dhe koalicioni.

Celibashi tha se një votues mund të zgjedhë një parti ose koalicionin dhe vetëm një kandidat të kësaj partie dhe këtij koalicioni. “Nuk mund të zgjedhi një parti apo një koalicion dhe kandidatin e një partie dhe koalicioni tjetër. Në çdo rast, zgjedhja do të jetë brenda partisë”, tha ai. Ai theksoi se votuesit nuk mund të zgjedhë dy kandidatë, sikurse edhe nuk mund të zgjedhë edhe dy parti politike apo dy koalicione.

Celibashi tha se fleta e votimit është e vlefshme edhe nëse votuesi zgjedh vetëm një kandidat, edhe pse nuk ka zgjedhur partinë politike dhe koalicionin.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.