Vaksinimi masiv/ Shqipëria, në fashën e lartë të klasifikimit në Europë

TIRANË, 5 prill/ATYSH-Maela Marini/ “Ne kemi pasur një mandat dhe një luftë e cila vazhdon dhe tani që po flasim. Mandati ynë i dytë nuk ka qenë një mandat qeverisës mirëfilli, por i thyer në mes nga dy goditje shumë të rënda, dy fatkeqësi të mëdha që realisht mund të kishin plandosur përtokë një elefant”, tha sot nga Korça, Kryeministri Edi Rama.

Rama tha se “në të vërtetë ne nuk kemi pasur 2 mandate, pasi mandate të tilla janë kur kushtet janë normale, ecuria e gjërave dhe situatat janë normale”.

Tërmeti katastrofik i thuajse 15 muajve më parë dhe pastaj pandemia që tronditi gjithë botën, sipas Ramës, “janë dy goditje që na vunë ne si vend dhe qeveri në një sprovë të madhe karakteri, qëndrueshmërie, kurajoje dhe aftësie për t’ia dalë mbanë”.

“Kur ra tërmeti ishin fare pak ata që mund ta besonin se ne mund t’ia dilnim të trajtonim gjithë ato plagë të mëdha që u hapën sa hap e mbyll sytë dhe të kthenim në shtëpi në një kohë të arsyeshme mijëra familje. Fare pak besonin se ne do të vinim në dispozicion të atij operacioni kolosal fondet e nevojshme, se do të ndërtoheshin kopshte, shkolla, çerdhe; do rindërtoheshin gjithë ato apartamente me dëme qoftë edhe të vogla, por jo të parëndësishme për një familje; me dëme më të mëdha apo dëme që impononin shembjen e pallateve dhe rindërtimin e tyre”, tha Rama.

Por, tha Kryeministri, “nuk u desh shumë kohë për të parë të gjithë se ne do t’ia dilnim”.

“Kur ne ishim në ethet e asaj sipërmarrje gjigante për të hyrë në procesin e rindërtimit, erdhi goditja tjetër. Parafytyroni sikur të na kishte gjetur me spitalet kur morëm detyrën mbi 7 vite më parë. Me ato spitale ku aparaturat ishin të kohërave të lashta, ose jashtë çdo funksioni. Nuk kishte ilaçe, njerëzit shkonin me batanije me vete, çarçafë me vete, nuk gjeje dot një banjo që mund të quhej e tillë. Ngroheshim me furnela elektrike”, tha Rama.

Ne, tha ai, “do ishim bërë jo gazi i botës, por një gropë mu në mes të Europës. Atëherë do ta kishim parë ç’do të thotë të vdesin njerëzit rrugëve, por nuk na gjeti të papërgatitur as ajo goditje. Dhe në gjithë fazën e rezistencës ne ja dolëm normalisht, për aq sa mund të konsiderohet me vend fjala normale në kushte kur ke të bësh me një luftë që merr jetë njerëzish e plagos shumë njerëz. Ne po ja dalim sot me vaksinimin masiv aty ku të tjerë akoma po përpëliten dhe mezi kanë filluar të bëjnë disa doza simbolike, presin të hyjnë në vaksinimin masiv dhe nuk kanë asnjë qartësi apo afat se kur”, shtoi ai.

Rama tha se, “Shqipëria sot është një nga dy vendet në rajon që e ka filluar vaksinimin masiv dhe me ritmet që po ecin jemi në fashën e lartë të klasifikimit të vendeve të kontinentit ku jetojmë”.

“Nuk ka qenë e lehtë dhe është dashur jashtëzakonisht shumë përpjekje, këmbëngulje, kombinim i marrëdhënieve, partneriteteve, miqësive, bisedave për t’ia dalë që të kemi sasinë e nevojshme të vaksinave që ne të dalim jo më vonë, por më shpejt se plot të tjerë nga ky tynel në Europë dhe të kemi një sezon turistik të çliruar ndjeshëm nga barra e ndjeshme e COVID-it”, shtoi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.