Vaksinimi masiv antikovid/ Mbi 3700 qytetarë të vaksinuar në Pogradec, të moshuar, arsimtarë dhe efektivë policie

TIRANË, 5 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Pogradec, ku vijon vaksinimi masiv në qendrat e qyteteve e gjithashtu në qendrat shëndetësore në fshatra, afër vendbanimit për gjyshet dhe gjyshërit më të moshuar.

Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndoqi nga afër procesin e vaksinimit.

Ministrja Manastirliu tha se “mbi 3700 qytetarë janë vaksinuar në Pogradec, të moshuar, arsimtarë dhe efektivët e policisë. Kemi arritur një numër të lartë të vaksinimit. Në Korçë janë vaksinuar më shumë se 9 mijë qytetarë. Sot do të vaksinohen mbi 500 persona duke përfshirë edhe forcat efektive të policisë”.

“Procesi po ecën shumë mirë, do arrijmë 200 mijë vaksinime, dje ishim 192 mijë. Do të vijojmë të përmbyllim efektivët e policisë dhe përgatitemi të ulim fashën tek 65 vjeç dhe 60 me të sëmurët kronikë”, – theksoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu tha se po ecim shumë mirë krahasuar edhe me vendet e rajonit, ritmet tona janë shumë të larta. “Besojmë se me angazhimin e të gjithë punonjësve të shëndetësisë, vaksinatorët dhe strukturave tona, ky ritëm do vazhdojë të jetë me intensitet të lartë”, tha ajo.

Që nga fillimi i procesit të vaksinimit janë kryer 192 882 vaksinime.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.