Takimet e PS-së do vijojnë me pak persona/ Rama: Opozita po i merr njerëzit në qafë, janë të papërgjegjshëm

TIRANË, 5 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se  takimet e Partisë Socialiste do të vijojnë të zhvillohen me pak persona për shkak të pandemisë COVID-19.

Gjatë një bisede telefonike me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi dhe drejtues politik i qarkut të Korçës, rrugës për në qytetin e Pogradecit, Kryeministri Rama tha se nuk do të zhvillojmë organizime të mëdha në asnjë mënyrë, se i marrim në qafë, se kjo është tmerr i madh.

“Opozita po i merr njerëzit në qafë, por çfarë t’u bëjmë tani. Janë komplet të papërgjegjshëm. Më mbytën edhe mua pse nuk mblidhemi edhe ne, por pse nuk tregojmë edhe ne forcën. Por çfarë force të tregojmë të marrim në qafë njerëzit”, – tha Rama.

I pyetur nga Kryeministri Rama si po shkon fushata zgjedhore, Peleshi u shpreh se “në çdo bashki, në çdo fshat ka mobilizim, ka angazhim për fushatën. Ka problematika. Ne kemi zgjedhur të vrapojmë pak më shumë dhe kemi zgjedhur t’i takojmë nga dy herë dhe tre herë banorët në çdo lagje, në çdo rrugicë dhe fshat. Edhe për t’i shtyrë të mos mblidhen në organizime të mëdha jo se nuk e kemi mundësinë, por respektojmë masat”.

“Po i mbledhim grupe të vogla dhe komunikojmë edhe më shumë”, – shtoi Peleshi.

Kryeministri Rama tha se “edhe më mirë me grupe të vogla se komunikojmë drejtpërdrejt edhe dëgjojmë, flasim, lërë se ç’thonë ata”.

Ndërsa i pyetur nga Kryeministri Rama për fushatën e PD-së dhe LSI-së Peleshi theksoi se, “ata vazhdojnë me stilin e vjetër deklarata, shpifje, sulme personale për njerëz të ndryshëm. Por nuk po merremi me ata, nuk duam të biem në batakun ku duan të na tërheqin. Mundohen të premtojnë budallallëqe, por njerëzit e kuptojnë. Për shembull Edmond Spaho, koordinatori i PD-së takohet me fermerët dhe iu thotë sa të vijmë ne do mbyllim doganat që ju të shisni prodhimet. Ndërkohë që ne nuk e bëjmë dot këtë, se ne jemi me marrëveshjen e tregtisë së lirë dhe Spaho e di mirë, se është vetë ekonomist”.

Kryeministri Rama u shpreh se, “ai tjetri shkon andej e thotë do t’u heqim traun, do t’u hapim rezervuaret”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.