Takim me banorët në Çiflig/ Peleshi: Mandati i shtatë, gjithnjë e më shumë realitet

TIRANË, 5 prill/ATSH/ Në zgjedhjet e 25 prillit, Partia Socialiste është në kërkim të mandatit të shtatë si objektiv maksimal i përcaktuar në qarkun e Korçës.

Në vijim të takimeve, nga fshati Çiflig, drejtuesi politik i qarkut, Niko Peleshi është shprehur besimplotë se ky objektiv gjithnjë e më shumë po bëhet i prekshëm. Për Peleshin punët në fshat kanë qënë të shumta gjatë këtyre viteve prandaj edhe mbështetja nuk do të mungojë. Më tej ministri i Mbrojtjes kërkoi besimin në zgjedhjet e 25 prillit për vetë filozofinë që ka Partia Socialiate, ku nuk bëjnë pjesë kandidatë shtegëtarë por të përgjegjshëm për të zgjidhur problemet.

“Korça është një qytet që është bërë një model suksesi, model i suksesit të zhvillimit, një qytet që nuk krahasohet me qytetin kur qeverisnin ata, një qytet që sot merr investime nga qeveria, ka të zgjidhur infrastrukturën nëntokësore, mbitokësore, sheshet, parqet, muzeumet, qendrat sportive, pazarin e vjetër. Një qytet që i ka arritur standardet e Bashkimit Europian. Vjen ai dhe guxon të shkelë mbi mundet tona. Ky është ofendimi më i madh që një udhëheqës politik i ka bërë qytetarisë sonë”, – thekson Peleshi.

“Ne nuk duhet të ecim mbrapa, ne duhet të ecim përpara, ne duam një mandat për të punuar për njerëzit. Sot e kësaj dite ne merremi me zgjidhen e plagëve të asaj kohe. Ata mbollën farën e paligjshmërisë për të cilën na duhet kohë dhe vite për ta rregulluar. Ata mbyllin sytë dhe mbledhin njerëzit për të siguruar një fotografi si për te thënë qe ne kemi mbështetje, kemi njerëzit. Dhe se çfarë ndodh dy javë më pas kur ai ka ikur nga Korça dhe ka lënë këtu vetëm qiririn? Në fshat janë bërë shumë punë të mira. Nafta pa taksa është një nga masat e mira të kërkuara shumë nga ju dhe ne ju jemi përgjigjur kur të vinte momenti. Ne vijmë të tregojmë arsyet pse duhet të votojmë Partinë Socialiste që ka numrin 12”, – shton ai.

“Ne jemi partia e filozofisë së hapjes, një parti që ka fuqinë të rinovohet, të freskohet. Një parti që ka fuqinë që të ftojë rreth saj njerëz që mund të japin më të mirën për vendin. Ne do të marrim 7 deputetë në Korçë. Ky ishte një objektiv maksimal por sa më shumë kalojnë ditët aq më shumë real bëhet ky objektiv. Ne duhet t’u tregojmë vendin atyre njerëzve që vijnë këtu për të gënjyer dhe më pas ndryshojnë vendin. Ne nuk kemi nevojë për këta shtegëtarë. Kemi nevojë të jemi bashkë me njëri-tjetrin në të mira e në të këqija”, – theksoi Peleshi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.