Ruçi: Ne vaksinojmë e zbatojmë protokollin e pandemisë, ata infektojnë

TIRANË, 5 prill/ATSH/ Drejtuesi politik i PS-së në qarkun e Fierit, Gramoz Ruçi zhvilloi sot një takim me banorë të fshatit Grecall, nga ku inkurajoi të rinjtë dhe gratë që të angazhohen më shumë në politikë.

Ruçi nuk la pa përmendur edhe mënyrën se si PD po bën fushatë, duke mos respektuar rregullat anti-COVID.

“Jemi në kohë pandemie dhe kjo është arsyeja që i bëjmë takimet në ambiente të hapura sipas protokolleve të ekspertëve. Në qoftë se qytetarët do të bëjnë punën e tyre dhe qeveritarët do të bëjnë punën e tyre për vaksinimin, do ta fitojmë këtë betejë. Shteti ka marrë përsipër të sigurojë me çdo kusht dhe me çdo çmim sasinë e vaksinave. Po kundërshtarët tanë? Ne zbatojmë, protokollin e pandemisë, mbajmë distancë, takimet tona nuk janë takime infektuese. Kundërshtari, mbledh 100 apo 200 makina duke ndotur akustiken dhe kjo është fushata, veç kësaj realizohet infektimi. Kështu janë ndarë gjërat, ne të vaksinojmë, ata të infektojnë. Kjo është fushata që duhet bërë, duhet mbështetur, kjo duhet votuar?”, u shpreh Ruçi.

Më tej, Ruçi vlerësoi pjesëmarrjen e lartë të grave në takim, ndërsa tha se angazhimi më shumë i tyre do ta bënte më të mirë dhe më serioze politikën.

“Këtu ka pjesëmarrje të zonjave të nderuara, kjo tregon shumë për kulturën tuaj si fshat për të vlerësuar pjesën më të mirë tonën, dhe pjesa më e mira e jona, janë nënat tona, motrat, gratë dhe vajzat tona. Do ju bëj apel edhe shoqeve tuaja të përfshihen dhe të merren me politikë, se sa me shumë të merreni me politikë juve, aq më e mirë do të jeta politika, aq më serioze do të jetë dhe aq më efektive do të jetë. Së dyti, moshat e reja. Bëni shumë mirë që bëheni pjesë e politikës, kështu ju bëj apel të flisni me të gjithë bashkëmoshatarët tuaj, të bëhen pjesëmarrës në këtë betejë elektorale, të bëhen pjesëmarrës në votimet e datës 25 prill”, tha Ruçi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.