Rikualifikimi urban në Pogradec/ Punohet intensivisht për një sezon turistik të lehtësuar


TIRANË, 5 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet e rikualifikimit urban në Pogradec.

Rama u shpreh se në Pogradec po punohet intensivisht për një sezon turistik të lehtësuar nga barra e COVID-19 falë vaksinimit masiv.

Rilindja Urbane në Pogradec është një proces në vazhdim, ku punohet intensivisht për përfundimin e kualifikimit urban dhe shtimin hapësirave të gjelbra në qendër të qytetit dhe shëtitoren buzë liqenit. Rehabilitimi i hapësirave publike është shtrirë në gjithë qytetin.

Disa nga këto investime inspektoi sot Kryeministri, i cili më pas u takua edhe me një grup të rinjsh, votues për herë të parë. Nisur nga ndryshimi që Pogradeci ka njohur në këto vite, ata u shprehën optimistë për të ardhmen dhe zhvillimin më tej të qytetit të tyre.

Këto punë dhe shumë të tjera në proces, u shpreh Kryeministri, janë edhe thelbi i zgjedhjes që duhet të bëjë çdo qytetar në 25 prill.

“Jemi këtu për të mos shkuar më ten e për të mos u kthyer mbrapa. Kjo është zgjedhja që quhet bërë në këtë moment, të mos ndalojmë e të vazhdojmë të çojmë para punët e shumta të nisura e që janë afër përfundimit, një pjesë tjetër janë punë që duan ende kohë për t’u përfunduar, një pjesë tjetër janë punë që vijnë si rezultat i punëve që përfundojnë. Janë një zinxhir i tërë punësh që rrezikojnë të mbeten në vend dhe përpjekje që rrezikojnë të shemben dhe të kthehemi edhe një herë si gjithmonë në këto raste mbrapsh dhe të humbasim, kohë, vite, shanse e mundësi. Por besoj se do të ndodhë e kundërta. Populli do vendosë që puna të vazhdojë papushim, pa ndalim, me vendosmëri dhe durim”, theksoi Rama.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.