Rama apel emigrantëve: Investoni në agroturizëm, më shumë të ardhura se puna në emigracion

TIRANË, 5 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u bëri sot apel emigrantëve të investojnë në agroturizëm, ndërsa theksoi se tashmë në Shqipëri ka filluar zinxhiri i kësaj industrie.

Në një takim elektoral në Korçë, Rama tha se “sot është e pamundur të gjesh vend në Korçë për të ardhur në fundjavë pa rezervuar më parë, por ka ende shumë hapësirë”.

Rama theksoi po ashtu rëndësinë e zhvillimit të bujqësisë përmes zhvillimit të agroindustrisë dhe agropërpunimit.

“Për të zhvilluar agroturizmin u bëj apel atyre që janë në emigracion që nëse kanë një shtëpi, kudoqoftë në zonën e fshatit, të investojnë për të bërë një agroturizëm, pasi është  e sigurt që investimi i kursimeve sjell të ardhura më të larta se puna si i punësuar i kujtdoqoftë në emigracion”, tha Rama.

Ai theksoi se, “ka filluar zinxhiri i kësaj industrie dhe sot kemi dallëndyshet e para, pika agroturizmi që janë shembuj që tregojnë me fakte se sa e vërtetë është qoftë mundësia për të zhvilluar këtë industri, apo fakti që kjo industri sjell të ardhura të konsiderueshme për familje”, tha Rama.

Rama theksoi se “kjo industri është po ashtu një zë i rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.