Nis vaksinimi antikovid i Policisë së Burgjeve/ Gjonaj: Prioritet maksimal

TIRANË, 5 prill /ATSH/ “Premtim të mbajtur” e cilësoi ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj fillimin e vaksinimit të stafeve policore të sigurisë të institucioneve të ekzekutimit të veprave penale në Shqipëri.

Ministrja Gjonaj shprehet se policët e burgjeve po i nënshtrohen të njëjtit trajtim si forcat e Policisë së Shtetit dhe se vaksinimi është me prioritet maksimal për këtë kategori.

Ministrja e Drejtësisë Gjonaj njoftoi se pas vaksinimit të personelit mjekësor të burgjeve, ku deri tani janë vaksinuar 160 punonjës shëndetësorë të sistemit penitenciar në mbarë vendin, tashmë ka filluar edhe vaksinimi i gjerë i punonjësve me uniformën e Policisë së Burgjeve.

Duke filluar nga data 4 prill 2021, personeli policor i ngarkuar me ruajtjen e sigurisë në burgjet e vendit, ka nisur procesin e vaksinimit dhe IEVP-të e para që i janë nënshtruar injeksioneve anticovid kanë qenë ato të Rrogozhinës, Krujës, Durrësit, Kavajës, Beratit, Tepelenës, Fushë-Krujës, Lezhës, etj. Nga sot e në vijim procesi po ecën me ritme të shpejta vaksinimi për të garantuar mbrojtjen antikovid edhe të kësaj kategorie uniformash me rëndësi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.