Nga portet dhe aeroportet e reja, te parqet fotovoltaike/ Platforma mbi të cilën Shqipëria do të ngrihet në një nivel tjetër

TIRANË, 5 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Korça se “në këto 2 mandate ne kemi ndërtuar një platformë të re mbi të cilën do ta ngremë Shqipërinë në një nivel tjetër”.

“Shikoja para pak ditësh një raport të Bankës Botërore të vitit 2008 ku flitet për bum turistik në Shqipëri, dhe bumi turistik i përkthyer në shifra për Shqipërinë ishte shumë më pak turistë sesa sot ka vetëm Korça”, tha Rama.

Këtu në Korçë, vijoi ai, “është vendi i duhur për të thënë që ambicia jonë në vizionin e Shqipërisë 2030 dhe Plani ynë i Veprimit 2021-2025 që është që ta bëjmë Shqipërinë kampione të turizmit në Ballkan, kampione të agroturizmit, kampione në eksportet bujqësore”.

Rama tha se “kjo është plotësisht e mundur dhe jo vetëm është e mundur, por është një proces që tanimë ka hyrë në rrugën e tij të realizimit dhe natyrisht që do të kërkojë edhe kohën e vet”.

“Sot flasim për disa investime të mëdha në turizëm, duke filluar nga investimi i madh në Durrës, ku do të investohet nga një prej kompanive më të mëdha botërore për transformimin e zemrës së Durrësit në portin turistik ndër më të mëdhenjtë në Mesdhe”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri foli edhe për portin e Vlorës, si dhe për portin turistik të Sarandës, i cili është tani aktualisht në kantier.

“Flasim për dy portet e reja tregtare që do të ndërtohen në Durrës dhe Vlorë, nga spostimi për t’i lënë vend porteve turistike; portin e ri turistik të Shëngjinit; 4 aeroporte, duke nisur nga ai i Kukësit, i cili për pak ditë hap dyert për uljen e parë të Air Albania. Po ashtu, kemi  aeroportin e Vlorës, që është në fazën e nënshkrimit të kontratës”, tha Rama.

Po ashtu, ai theksoi se, “në Tiranë fillon investimi për terminalin e ri dhe zgjatjen e pistës, për të garantuar edhe fluturimet transoqeanike”.

Rama u ndal edhe te parqet fotovoltaike, apo në transformimin e sektorit të energjisë nga një sektor që ne e kemi vendosur në ekuilibër sa i takon shpërndarjes, por vazhdon të na kushtojë, sepse kur kemi mungesë reshjesh ne importojmë energji, në një sektor që do të jetë eksportues neto”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.