Kryemadhi: Problemet nuk na i zgjidhin ambasadorët

TIRANË, 5 prill /ATSH/ Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi se lista e kandidatëve për deputetë të LSI në 12 qarqet e vendit, ka kaluar në proces Vetingu.

Gjatë një interviste, Kryemadhi tha se theksoi se LSI ka listat më të pastra, një konfirmim i dhënë dhe nga KQZ që e kaloi pa asnjë ndryshim.

“Është investuar shumë, sidomos në qarqe diplomatike për të intimiduar dhe sulmuar listën e LSI, por për një gjë të jeni të bindur, që ajo është akoma më e rëndësishme dhe që dua të them është që lista e LSI është e pastë dhe e kristaltë dhe më e pastër se çdo listë tjetër. Ne kemi qenë të hapur për çdo propozim apo lloj subjekti që ka pasur një këndvështrim, deklarimi të tyre. Ka kaluar një proces vetting”, tha ajo.

Kryemadhi ka folur edhe mbi takimet me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim në qytetin e Elbasanit. Ajo tha se ka biseduar me ambasadoren amerikane mbi situatën politike dhe rishprehu dhe një herë qëndrimin e saj e thënë para disa kohësh në ‘VOA” ‘More Americans in Albania’, më shumë amerikanë në Shqipëri.

“Unë vazhdoj dhe besoj që problemet nuk na i zgjidhin ambasadorët, por i zgjidhim vetë. Dhe ajo që është shumë e rëndësishme për ne është që, nëse ne nuk krijojmë një pavarësi të të menduarit dhe të funksionarit si parti politike, ne do të vazhdojmë të jemi në vështirësitë që ne kemi. Unë mendoj që ambasadorja amerikane bëri shumë mirë që erdh në Elbasan. Por është shumë e rëndësishme të kuptojmë që ne duhet të flasim për problemet e njerëzve më shumë sesa për problemet tona politike”, tha ajo.

Kryemadhi shtoi se “do të ishte shumë mirë që të kishim investime amerikane në Elbasan, duke pasur parasysh gjithën zonën industriale të qytetit. Unë e kam bërë një sugjerim të tillë edhe te Zëri i Amerikës kur kam thënë: ‘More Americans in Albania’, që do të thotë: ‘më shumë amerikanë në Shqipëri’. Zona industriale e Metalurgjikut mund të jetë një zonë shumë e mirë për tu kthyer në një zonë të lirë ekonomike, sepse për shumë arsye edhe vetë infrastruktura ta lejon transportin, kur kemi disa kompani amerikane që operojnë në zonat e lira të Maqedonisë së Veriut”.

Ajo tha se “Shqipëria nuk duhet parë thjeshtë si një element pro amerikan por edhe si një element për sjelljen e investimeve të huaja”.

“Unë nuk mendoj që Ambasadorët mund të dalin në krah të opozitës. Nuk mund të pretendoj që edhe ambasadori turk të dal në krah të opozitës dhe dhe të thotë ju përkrahim ju dhe ndërkohë ne e dimë shumë mirë që kryeministri me presidentin turk Erdoganin janë gjithë kohës bashkë dhe kalojnë edhe fushatat elektorale”, u shpreh Kryemadhi.

Gjithashtu, Kryemadhi tha se fleta e votimit nuk dëmton dhe nuk do të ndikojë në procesin e votimit dhe në rritjen e votave të pavlefshme.

“Nuk e rrit, sepse vetë zinxhiri i gjatë i fletës së votimit, unë e kam një format të fletës së votimit për Tiranën, është e qartë, është e mundur. Ne e kemi testuar me të gjitha grupmoshat dhe bëhet e mundur shikueshmëria dhe votimi. Duke qenë se fleta e votimit do të ketë numrin 6 votë të vlefshme, pra kur voton për subjektin edhe po nuk votove kandidatin fleta është e vlefshme, por edhe kur voton vetëm kandidatin dhe jo subjektin vota përsëri është e vlefshme. Por vetë vota për subjektin është shumë e dukshme, gjë e cila favorizon dhe i jep prioritet subjektit”, tha ajo.

Kryemadhi shtoi se fleta e votimit nuk krijon shumë konfuzion. “Krijon konfuzion për kandidatët. Njerëzit nuk janë numra për LSI-në, njerëzit janë emra.  Duhet të ishte me listë shumë emërore, gjë të cilën edhe vetë kryekomisioneri e ka pasur këtë bindje se duhet të ishte me emra, por KAS-i vendosi që të ishte me numra. Në Elbasan përshembull njerëzit do të priren për të gjetur numrat dhe jo emrin. Kur ndërkohë në Tiranë çështja e emrave është një nga gjërat më të rëndësishme, sepse vetë Partia Socialiste me emrat që ka në listën e saj nuk e përfaqësojnë atë, kështu që normalisht vetë PS-së i ka interesuar që ti ketë me numra”, u shpreh Kryemadhi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.