“Këtë javë vijnë doza të tjera vaksinash antikovid”/ Ritme shumë të larta, askush nuk do mbetet pa vaksinuar

TIRANË, 5 prill/ATSH/ “Këtë javë vijnë sasi të tjera të konsiderueshme vaksinash që na japin mundësi të vazhdojmë të vaksinojmë masivisht e po ashtu duke garantuar që sapo vjen afati i dozës së dytë, vaksinat të jenë në dispozicion”.

Kështu deklaroi sot në një prononcim për mediet nga Pogradeci Kryeministri Edi Rama.

“Besoj që po këtë javë do kemi dhe një lajm tjetër, për një tjetër dozë të konsiderueshme vaksinash të tjera”, – tha Rama.

Në një komunikim me mediet, Kryeministri Rama tha se “jemi duke ecur me ritme shumë të larta. Në radhë të parë falë një organizimi realisht shumë efikas, dhe patjetër dhe koordinimit shumë të mirë që bëhet nga Ministria e Shëndetësisë, nën mbikëqyrjen e ministres deri tek qendra më e largët shëndetësore. Po ashtu edhe aplikimet online për vaksinim në portalin e-Albania funksionojnë më së miri”.

“Përfitoj nga rasti t’ju bëj thirrje qytetarëve që t’i referohen portalit e-Albania për çfarëdo rasti kur kanë nevojë të drejtohen aty për t’u regjistruar për vaksinimin dhe mendojnë se nuk po i njofton mjeku i familjes. Ndërkohë që mjekët e familjes njoftimin për vaksinimin e bëjnë në bazë të planit të vaksinimit dhe askush nuk do të mbetet pa u vaksinuar”, – theksoi Rama.

Në lidhje me tubimet e Bashës duke mos respektuar masat antikovid, Rama tha se, “unë e kam përsëritur këtë çdo ditë. Për fat të keq ka njerëz të cilëve u duket kjo si politikë apo ka edhe më keq akoma që mendojnë se është shprehje xhelozie për turma”.

“Faktikisht nuk ka diskutim që çdo parti politike e aq më shumë një parti si e jona mund të mbledhë njerëz masivisht, por kjo është papërgjegjshmëri, në kushtet kur vaksinimi vërtet është një armë fatale kundër armikut të padukshëm por nëse nuk shoqërohet me distancim e nëse paralelisht ne nuk bëjmë të dyja bashkë, vaksinim dhe distancim, sigurisht që vështirësojmë punën tone”, – nënvizoi Rama.

Aq më tepër, vijoi Kryeministri, pastaj që janë aty përpara syve tanë shembujt e vendeve të tjera kur për marshime të tilla elektorale janë humbur jetë njerëzish e janë plagosur shumë marshues.

“Nuk është kjo që duhet të ndodhë e nuk është kështu që duhet të sillet lidershipi politik i cilësdo forcë politike që pretendon të ketë një zë dhe të ketë një vend në tryezën e vendimmarrjes së vendit”, – tha Rama. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.