Celibashi, thirrje partive politike për fushatë të qetë: Jemi të gjithë të vëzhguar dhe të monitoruar

TIRANË, 5 prill /ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një konferencë për mediet u bëri sot thirrje partive politike dhe kandidatëve të bëjnë një fushatë të qetë dhe të lejohen qytetarët të zgjedhin kë të dëshirojnë.

“Do të shfrytëzoja rastin për të sjellë edhe njëherë në vëmendje të partive politike dhe të kandidatëve tashmë që është qartësuar sesi do të jetë përmbajtja e fletës së votimit, por edhe të institucioneve të ndryshme shqiptare, detyrimin e të gjithë këtyre aktorëve për t’u angazhuar në një proces zgjedhor,në përputhje me përcaktimet e Kodit Zgjedhor, por edhe në përputhje me përcaktimet e legjislacionit shqiptar në përgjithësi për të garantuar një proces zgjedhor në përputhje më të gjitha standardet më të mira ndërkombëtare”, tha Celibashi.

“Është rasti të theksojmë se qoftë për partitë poltike, koaliconet, për kandidatët dhe për institucionet, legjitimiteti i rezultatit zgjedhor varet shumë nga mënyra sesi secili prej këtyre faktorëve poltikë dhe institucionalë do të ketë qasjen e tij në lidhje me përgatitjen dhe administrimin e procesit zgjedhor”, tha Celibashi.

Ai ritheksoi se, “çdo iluzion i çdokujt faktori politik apo institucional mbi atë se në fund të fundit ne do ta kemi një rezultat zgjedhor pavarësisht sesi do t’i bëjmë zgjedhjet dhe ky rezultat në mënyrë ose një tjetër do të jetë i pranueshëm, është një iluzion i gabuar”.

“Ndaj sa nuk është vonë gjithkush prej nesh, po përfshi edhe insittuinin e KQZ, këtu, por më së shumti kjo thirrje vlen për partitë politike, koalicionet dhe kandidatët, por edhe institucionet publike shqiptare çfarë vlen për të korrigjuar nëse diçka nuk është bërë mirë deri tani, duhet ta bëjmë me qëllim që këto zgjedhje vërtet të jenë zgjedhje jo vetëm të jenë më të mira se zgjedhjet e shkuara, por në përputhje me të gjitha standardet për zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike”, theksoi Celibashi.

“Jemi të gjithë të vëzhguar dhe të monitoruar kështu që në fund të ditës, për secilin nga ne do të ketë gjykim dhe për atë që do të jetë përgjegjës për mospërmbushjen e përgjegjësive sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor dhe legjislacionit shqiptar, do ta mbajë këtë përgjegjësi dhe do ta ballafaqojë me sanksionet përkatëse”, u shpreh Celibashi.

“Është rasti për t’i thënë dhe për t’iu adresuar një thirrje partive politike dhe kandidatëve  për t’u angazhuar në një fushatë të qetë dhe të ndershme me qëllim që t’u krijojnë mundësi votuesve lirshëm ata të njihen me alternativat e tyre dhe të vendosin po lirshëm mbi zgjedhjet dhe preferencat e tyre politike dhe elektorale”, tha Celibashi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.