Biznesi i vogël zero taksë dhe zero TVSH deri në 2029

TIRANË, 5 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nga Korça tha sot se në planin tonë të veprimit e kemi kalkuluar që me Partinë Socialiste biznesi i vogël deri në vitin 2029 do të ketë zero tatimfitimi dhe zero TVSH.

“Mund të mos duan fare të na shikojnë me sy ne, por ky është problemi më i vogël, se nuk janë të detyruar të na shikojnë, as të na dëgjojnë e jo e jo të na pëlqejnë. Por s’mund të shkojnë të votojnë pas berihajit, vetëm sepse nuk i dua këta se janë arrogantë, dhe të japësh votën që të paguash taksë, sepse ata e kanë thënë qartë që do të vendosin taksën e sheshtë“, deklaroi Kryeministri.

Sipas tij, taksën e sheshtë e kanë provuar ata që bëjnë biznes, e kanë patur 10 %, tani do të jetë 9 %.

“Të paguash 9 % të të ardhurave të tua çdo muaj bashkë me TVSH-në se të pëlqejnë disa e nuk të pëlqejnë disa të tjerë, kjo nuk është llogari prej sipërmarrësi. Ky është tifozllëk që të kushton. Fleta e votimit nuk është biletë për të shkuar në stadium për “Skënderbeun”. Fleta e votimit është autorizim për interesat e tua dhe atë autorizim duhet të mendohesh mirë se kujt ia jep, një kontratë pune. Më mirë se ne për Korçën këta nuk gjejnë dot, aq më tepër tani”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.