Basha: Qeveria ime nuk do të ketë anëtarë siç kanë shërbyer në të kaluarën

TIRANË, 5 prill /ATSH/ Kryetari i PD, Lulzim Basha ishte i ftuar në një studio televizive ku u shpreh se, “kryeministri duhet të japë përgjigje çfarë ka bërë këto 8 vite, pasi merret gjithë ditën me kandidatin për kryeministër”.

“Është hera e parë që kryeministri kthehet në një satelit të kandidatit për kryeministër. Këtë bëri edhe dje, këtë ka bërë edhe pardje, këtë vazhdon të bëjë. Pse? Sepse nuk ka asgjë për t’ju thënë shqiptarëve. Nuk ka asnjë përgjigje për ta. Ka ardhur me premtime të mëdha në pushtet”, tha Basha.

“Shqiptarët nuk i harrojnë. Ka ardhur me premtime për të hapur 300 mijë vende pune, ekonomia është në kolaps, papunësia është shkaku kryesor i varfërimit të shqiptarëve, i rënies së të ardhurave të familjeve. Ka ardhur me premtime për shëndetësinë falas. Shëndetësia, në një nga testet siç ishte i pandemisë, doli zbuluar se është në ditën e saj më të zezë dhe krahasuar edhe me shëndetësinë e vendeve të krahasueshme me ne, me vende si Kosova apo Maqedonia, është jashtëzakonisht më e dobët për shkak të politikave të gabuara, për shkak të dështimeve të kësaj qeverie”, tha Basha.

Sipas Bashës, “është e qartë strategjia, nuk është diçka që ndodh, është e kuptuar përmes sulmeve ndaj meje, sulmeve ndaj opozitës, ndaj Partisë Demokratike, Edi Rama përpiqet të shmangë vëmendjen nga pyetja normale që zgjedhësi ushtron në fushatë”.

Basha theksoi se, “nuk është detyrim ndaj meje, as i imi ndaj tij, por është detyrimi i të dyve bashkë, të dalim para qytetarëve dhe të debatojmë, në demokraci debatohet. Dhe ai që ka patur pushtetin ka për detyrë të bëjë debat pikërisht t’u shpjegojë qytetarëve çfarë kanë bërë me pushtetin në këto 8 vite. Ky tjetri që e kërkon pushtetin, ka për detyrë t’u shpjegojë ku do t’i çojë, cilat janë qëndrimet e tij, cili është programi për të cilin u kërkon votën. Sigurisht, unë këtë e bëj përditë, e bëj në kontakt me qytetarët, e bëj pa censurë, pa regji qendrore duke i dëgjuar, duke marrë vërejtjet e tyre, mendimet e tyre, duke iu dhënë përgjigje”.

“Në qoftë se ka diçka që e ndiej çdo ditë e më fortë është padurimi për ndryshim, etja për ndryshim. Kjo merr forma nga më të ndryshme. Shprehja që dëgjojë më së shumti është “Nuk durohet dot më. Boll më. Nuk e shtyjmë dot më kështu”, pra instikti i parë i njerëzve është që duhet ndryshim. Dhe natyrisht këtu pyetja shtrohet, kush do ta sjellë ndryshimin? Dikush që ka pasur 8 vite pushtet më shumë se kushdo tjetër në 30 vite, më shumë se kushdo tjetër që nga koha e Enver Hoxhës dhe që në fakt me këtë pushtet nuk bëri asgjë përveçse e la vendin në baltë, në vendnumëro, i la shqiptarët në mëshirë të fatit. Ndihmoi, sigurisht, një grup njerëzish shumë të vogël. Largoi pothuajse gjysmë milioni bij dhe bijash shqiptare në emigracion. Na la në vendnumëro në procesin e integrimit europian. E zhyti ekonominë në krizë. Pra dikush që është provuar 8 vite dhe nuk ka dhënë asgjë dhe tani vjen troket për herë të tretë”, theksoi ai.

“Në qeverisjen time nuk do të ketë anëtarë të kabinetit siç kanë shërbyer në të kaluarën, por do të ketë do të ketë anëtarë të kabinetit me cilësi, integritet, me profesionalizëm, të cilat do të janë në gjendje ta mbajnë peshën e përgjegjësisë. Thënë kjo nuk ka asnjë diskutim që një qeverisje e kujdesshme arrin të prodhojë të mira për vendin. Pra, Partia Demokratike ka provuar në qeverisjen e mëparshme që mori përsipër detyra dhe i kreu ato”, u shpreh Basha.

Në lidhje me mundësinë e infektimeve në tubimet e tij të fushatës, Basha tha se ai vetë i pari ka kërkuar marrjen e masave.

“Shëndeti mbi gjithçka dhe mbi çdo aktivitet timin elektoral të organizuar nga shtabi im elektoral, ne marrim masat më strikte anti-COVID, sepse të paktën deri më 25 prill kemi vetëm Zotin dhe veten tonë për t’u mbrojtur. Natyrisht e kam shpeshherë të pamundur të ndaj entuziazmin që duket në pritjet që më bëhet, dhe ju e keni parë, mundohem që edhe në këto momente, t’u bëj thirrje mbështetësve të mbajnë maskën, të mbajnë distancën”, tha Basha. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.