Xhaçka e Peleshi: Masterplan për zhvillimin e kurorës turistike nga Vithkuqi deri në Leskovik

TIRANË, 4 prill/ATSH/ Mandati i tretë qeverisës do të ketë fokus të veçantë mbi zhvillimin e zonave me potencial të madh turistik që nga Vithkuqi e deri në Leskovik. Për këtë prioritet janë angazhuar kandidatja për deputete e PS, Olta Xhaçka dhe drejtuesi politik për qarkun Korçë, Niko Peleshi, gjatë takimit me banorë të njësisë administrative Vithkuq.

“Në 4 vitet e ardhshme duhet të ngrihemi mbi pakënaqësitë, të gjejmë zgjidhje për problemet e të mos lejojmë kthimin pas. Ka një diferencë të madhe mes nesh dhe atyre që duan të vijnë në pushtet: ata janë problemi, ne jemi zgjidhja. Shumë shpejt, e gjithë zona nga Vithkuqi në Leskovik do të jenë pjesë e një masterplani për zhvillimin e turizmit”, tha Peleshi duke renditur investimet e bëra vitet e fundit në Vithkuq dhe në të gjithë qarkun e Korçës.

Për deputeten Xhaçka, pavarësisht vështirësive të mëdha të ndeshura në vitin 2013, me gropën ekonomike ku vendi u gjet pas qeverisjes së demokratëve apo pengesave që shkaktoi tërmeti dhe pandemia, qeveria në bashkëpunim me pushtetin vendor ia kanë dalë të transformojnë vendin.

“Si ekonomiqarë të mirë kemi ditur të prioritizojmë nevojat, duke mos bërë të fundit të parën dhe duke shtrirë vëmendjen njësoj si në zonat urbane dhe në atë rurale. Dhe në mandatin e tretë, do të orientojmë investimet e reja drejt nismave dhe sipërmarrjeve tuaja, me qëllim zhvillimin e turizmit në zonë dhe forcimin e përmirësimin e ekonomive tuaja familjare”, tha Xhaçka.

Për Xhaçkën e Peleshin, kandidimi në qarkun e Korçës të dy anëtarëve të kabinetit qeveritar, tregon vëmendjen e veçantë të Kryeministrit Rama për këtë qark, ku PS synon të marrë 7 mandate në zgjedhjet e 25 prillit. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.