Vijon në ditën e dytë vaksinimi antikovid i uniformave blu/ Deri tani janë vaksinuar 1 mijë efektivë të Policisë së Shtetit


TIRANË, 4 prill/ATSH-Maela Marini/ Në gjithë vendin po vijon në ditën e dytë edhe procesi i vaksinimit antikovid të uniformave blu.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndoqi sot nga afër procesin e vaksinimit të uniformave blu në Fier.

Manastirliu informoi se gjatë ditës së djeshme janë vaksinuar rreth 1 mijë efektivë të Policisë së Shtetit. Një pjesë e tyre janë vaksinuar në strukturat e përqendruara të vaksinimit, pjesa tjetër në komisariate, për të krijuar më shumë lehtësi edhe për të arritur një vaksinim të shpejtë të efektivëve të Policisë.

Ministrja tha se, “janë 11 mijë forca të efektivëve të Policisë që do të vaksinohen. 1 mijë janë vaksinuar dje, pjesa tjetër në ditët në vijim. Besoj që do ta kryejmë shumë shpejt për të përfituar të gjithë ditët në dispozicion. Ndërkohë kemi përfunduar me mësuesit, edhe me mësuesit e shkollave jopublike. Gjithashtu edhe dozat e dyta për mjekët e personelin spitalor dhe të kujdesit parësor kanë përfunduar”, tha ajo.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka 577 punonjës dhe sot ka filluar vaksinimi për Drejtorinë Vendore dhe Komisariatin e Policisë së Fierit, ndërsa dje janë vaksinuar punonjësit e Komisariatit të Lushnjës dhe të Divjakës.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.