Rama në Fier: Biznesi i vogël aleat strategjik, do t’ju mbështesim deri në fund

TIRANË, 4 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama shprehu mbështetjen e qeverisë për biznesin e vogël.

Gjatë takimit që zhvilloi të dielën në Fier me përfaqësues të biznesit të këtij qyteti, Rama tha se, ”ne do t’ju mbështesim deri në fund. Për ne biznesi i vogël është aleat strategjik, në aspektin e vizionit dhe filozofisë tonë politike, në aspektin se si e shohim ne shoqërinë”.

“Është aleat strategjik edhe në sensin e ekonomisë. Është një motor i pashtershëm që duhet ushqyer vazhdimisht me mbështetje dhe lehtësi dhe duhet lënë të vrapojë i lirë, pa qënë i detyruar të mbajë blloqe, regjistra, shënime edhe pa qenë i detyruar të presë në derë lloj-lloj tipash që vijnë me demek të kontrollojnë, por duan atë ‘pjesën e tyre’”, – u shpreh Rama.

“Ne jemi këtu për t’jua siguruar këtë liri”, – deklaroi Kryeministri.

Rama shprehu bindjen se me ikjen e pandemisë, Fieri do të jetë pjesë e gëzimit të rritjes së numrit të njerëzve që do të vijnë këtu “dhe patjetër, kush merret me shërbime mbështetëse do të përfitojë nga i gjithë zinxhiri i aktiviteteve që do të rriten”.

/r.e/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.