Nga Skavica te TEC-i i Vlorës/ Shqipëria në mandatin e tretë, eksportuese neto e energjisë

TIRANË, 4 prill /ATSH/ Investimet strategjike do ta çojnë sistemin elektroenergjetik shqiptar në një stad të ri zhvillimi, duke e shndërruar Shqipërinë në eksportuese neto të energjisë.

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit sot në Fier me banorë të këtij qyteti u shpreh se, “ne jemi në marrëveshje të lidhur dhe ka filluar puna për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës në veri të vendit dhe për TEC-in e Vlorës në jug”.

“Dy investime që do ta çojnë sistemin tonë elektroenergjetik në një nivel tjetër së bashku me dy parqet fotovoltaike: ai i Karavastasë, ku ka filluar puna me 100 megavatë, dhe ai i Spitallës, ku mbaroi gara dhe kompania e madhe franceze do të fillojë punën me 100 megavatë të tjera”, – tha Rama.

Kryeministri deklaroi se, “Shqipëria në këtë manadat të tretë tonin do të bëhet eksportuese neto, që do të thotë që nuk do të blejmë më energji nga importi, duke paguar para, kur është thatësirë dhe s’ka ujë lart. Dhe nuk do të hedhim më ujë për të përmbytur edhe njerëz, kur uji është me tepricë, sepse do të kemi Skavicën që do të mbajë sistemin në këmbë duke mbledhur gjithë ujin për ditët kur duhet dhe kur nuk do të ketë shi”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.